Partizani dita-ditës po bëhet një “market” i preferuar i klubeve më të mëdha europiane. Të kuqtë kanë në skuadër disa emra mjaft tundues, që në të ardhmen mund t’i dëgjojmë në arena shumë më të mëdha. Një prej tyre është Maget Gueje.
Mesfushori senegalez ka tregues të jashtëzakonshëm dhe është një nga “diamantet” më të çmuar të kampionëve në fuqi. Megjithëse po arrin ta tregojë veten vetëm në 4-5 muajt e fundit, 20-vjeçari së fundmi ka përfunduar në listën e gjigantëve rumunë të Steauas së Bukureshtit.
Presidenti me origjinë shqiptare i klubit, Xhixhi Bekali, në bashkëpunim me hallkat e tjera të klubit, e ka vënë mes objektivave Magetin. Ai kërkon të përforcojë ekipin me qëllim titullin kampion në Rumani dhe e sheh Magetin si një element, që mund të ndihmojë skuadrën të “sundojë” ndaj rivalëve.
Media rumune “Prosport” shkruan se skautë të Steauas do të zbarkojnë në ditët në vijim në vendin tonë për të parë nga afër mesfushorin dhe për të nisur negociatat me Partizanin.