Partia Demokratike ka nisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një dokument që tregon abuzimet që janë bërë me procesin zgjedhor të 11 majit.
Dokumenti që mban datën 16 maj i është dërguar kompanisë së saj lobuese në Amerikë, Continental Strategy dhe regjistruar pranë Departamentit të Drejtësisë të SHBA.
Në dokument thuhet se “zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri janë karakterizuar nga shkelje të rënda sistematike, duke komprometuar seriozisht parimet ndërkombëtare për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”.
Sipas një raporti paraprak të PD, zgjedhjet dështuan të sigurojnë një mjedis të drejtë dhe të lirë për votuesit, për të bërë zgjedhje të informuara.
Raporti thekson gjithashtu se, në përpjekje për të siguruar një mandat të katërt, Kryeministri Rama ka përdorur sistemin e drejtësisë si armë kundër opozitës.
Në raport rekomandohet krijimi i një qeverie teknike për të përgatitur zgjedhje të reja të lira dhe të ndershme si dhe hetim ndërkombëtar për integritetin e zgjedhjeve.
Disa nga akuzat që renditen në raport:
Krimi i organizuar ka luajtur një rol aktiv në zgjedhje në 10 nga 12 qarqet dhe 21 nga 61 bashkitë e vendit.
Grupet kriminale ne Tirane, Vorë, Elbasan, Durrës, Shkodër dhe Lezhë janë përmendur si pjesë e strukturave që ndihmuan Partinë Socialiste nën koordinimin e drejtpërdrejtë nga Kryeministria.
Blerja e votave me para publike, përfshirë shpërndarjen e bonuseve për pensionistët (rreth 70 milionë euro) dhe amnisti fiskale prej 200 milionë eurosh 48 orë para ditës së zgjedhjeve.
Punësime masive klienteliste – mbi 10,000 persona të punësuar në administratë para zgjedhjeve për qëllime elektorale.
Manipulimi ligjor i rezultatit – PS me rreth 52% të votës, por përfiton rreth 60% të mandateve parlamentare.
Rikthimi i patronazhistëve dhe përdorimi i ish-oficerëve të Sigurimit për të ushtruar presion politik mbi qytetarët.