Avokati Sokol Mëngjesi është dhunuar mëngjesin e kësaj të Mërkure në kryeqytetet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut. Sipas policisë, Mëngjesi është goditur nga persona të paidentifikuar dhe është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar, ndërsa një hetim ka nisur për identifikimin dhe kapjen e autorëve, shtuan të njëjtat burime.
Ndërkaq, burime pranë bluve thanë se dyshohet që avokati është goditur me grushte e sende të forta në kokë e trup dhe tre persona dyshohet se kanë marrë pjesë në dhunimin e tij. Avokati është sulmuar teksa ishte duke ecur në rrugë i vetëm, pasi shoqëroi të birin në kopësht. Blutë kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, që pritet të hedhin më shumë dritë mbi dinamikën e ngjarjes dhe zbulimin e autorëve. Gjithashtu, ka marrë në pyetje dëshmitarë.
Pas mjekimit, pritet të merret dhe dëshmia e avokatit. Ka qenë vetë Mëngjesi i cili ka denoncuar rastin në polici. Dyshimet paraprake për dhunimin e Mëngjesit është një konflikt për çështje pronësie, megjithatë hetimet për rastin vijojnë.
Mëngjesi është pjesë trupës pedagogjike të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe si mbron interesat e ish-kryeministrit Sali Berisha në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme për çështjen “Partizani”.