Raporti i publikuar së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka zbuluar informacione të rëndësishme lidhur me Charles McGonigal, dhe përfshirjen e tij në një seri veprimtarish të ndaluara që lidhen edhe me Shqipërinë.
Janë zbuluar detaje të tjera që thellojnë lidhjen e McGonigal me kryeministrin shqiptar, Edi Ramën.
Një nga momentet e zbuluara është një foto e dërguar nga McGonigal në 9 shtator 2017, e cila tregon atë me kryeministrin Rama.
Në mesazhin që shoqëronte foton, McGonigal shkruante se Rama po reformonte sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe se ky zhvillim ofronte “shumë mundësi”.
Ky mesazh, i dërguar një miku të ngushtë të McGonigal, sugjeron një interes të thellë nga ana e ish-agjentit të FBI-së për zhvillimet politike në Shqipëri.
Siç është raportuar më herët, McGonigal kishte zhvilluar takime të fshehta në Tiranë dhe Nju Jork me individë të cilët përshkruhen si “ish-zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare”.
Po ashtu, ai pati dy darka private me kryeministrin Rama gjatë vizitave të tij në Shqipëri, aktivitete të cilat nuk i ka raportuar te institucionet përkatëse.








