Gjin Gjoni, kandidati i koalicionit PD-AshM, është kallëzuar në polici për shpifje, pasi denoncoi zyrtarët e PS për shit-blerje votash.
Gjoni, në denoncimin e bërë publik, i nxori me emra dhe postet përkatëse zyrtarët që sipas tij intimidojnë qytetarët dhe kërkojnë vota për PS-në. Ai i bëri thirrje drejtësisë që të veprojë urgjent me kriminelët elektoralë.
Një ditë pasi akuzoi pesë anëtarë të Partisë Socialiste për blerje votash, kandidati demokrat për Lezhën, Gjin Gjoni është kallëzuar në polici për shpifje.
“Njerez nga vetë Partia Socialiste me informojnë se këta janë disa prej emrave që janë pjesë e përpjekjeve për blerje votash dhe intimidim të qytetareve:
• Denis Pervathi – Drejtor i Tatimeve në Bashkinë Lezhë po vepron në Kolsh
• Eraldo Smaçi – Drejtor i IVMT në Bashkinë Lezhë po vepron në Zejmen
• Paulin Gjergji – Drejtor i Emergjencave në Bashkinë Lezhë po vepron në Balldre
• Rigels Nicaj – Zyrtar i Partisë Socialiste po vepron në Ishull-Lezh
• Fred Pervathi – Shofer ambulance po vepron në Manati
• Agim Prendi – Zyrtar i PS po vepron në Zejmen
• Emirjan Lazri – Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor po vepron në Dajç
Këta individë dhe të tjerë që do ti denoncojmë me zë dhe figure më ditët në vijim duhet të hetohen pa vonesë dhe të vihen para drejtësisë, pasi ne jemi të vendosur që vullneti i qytetareve të mos tjetërsohet siç ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara”, shkruante Gjoni në denoncim.
Por, policia e Lezhës ka referuar Gjonin për “Shpifje” me argumentin se kandidati demokrat ka shpifur mbi zyrtarët e PS të implikuar në shit-blerje votash.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpifja”, për shtetasin Gj. Gj., 55 vjeç, banues në Lezhë, kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Demokratike”, pasi kanë kallëzuar shtetasit D. P., E. L., E. S., P. Gj. dhe R. N. (përfaqësues dhe simpatizantë të subjektit politik “Partia Socialiste”), se 55-vjeçari ka publikuar në rrjetin social “Facebook”, një postim, nëpërmjet të cilit shpif se 5 shtetasit janë të implikuar në blerje votash dhe intimidim zgjedhësish”, njofton policia.