Kryeministri Edi Rama ka finalizuar një tjetër pazar me konflikt interesi në favor të një deputeti aktual të Partisë Socialiste dhe vajzës së tij, e cila u zgjodh deputete më 11 maj 2025 nga lista e mbyllur. Bëhet fjalë për deputetin e Shkodrës, Agron Çela, i cili më 4 qershor 2025 përfitoi me procedurë koncesionare (PPP) zhvillimin dhe shfrytëzimin për biznes privat të rezidencës qeveritare në Velipojë, përmes kompanisë “Xhenis-SH Sh.p.k.”, e regjistruar në emër të bashkëshortes së tij, Belma Çela.
Sipas Ligjit Nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesit të personave të zgjedhur dhe të emëruar në funksione publike”, ky përfitim përbën shkelje të qartë, pasi deputeti ka përfituar pasuri publike përmes një subjekti të lidhur familjarisht. Ligji përcakton se konflikti i interesit ekziston edhe kur familjarë të funksionarëve publikë përfitojnë pasuri, fonde apo leje shtetërore gjatë ushtrimit të mandatit të tyre.
Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 70, pika 3, ndalon deputetët të ushtrojnë çdo veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria apo autoriteti i shtetit. Ndërkohë, kompania “Xhenis-SH”, në pronësi të familjes së Agron Çelës, përfitoi rezidencën qeveritare në Velipojë me një sipërfaqe prej 1200 m² ndërtim dhe 6900 m² park pyjor buzë detit, bazuar në një firmë të vetë kryeministrit.
Kjo përbën rast tipik të shkeljes së ligjit dhe Kushtetutës, për të cilën Kuvendi, përmes Këshillit të Mandateve, ka detyrimin të nisë menjëherë procedurat për heqjen e mandatit të deputetit Agron Çela. Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkatësisht kryetari Ilirjan Celibashi, ka detyrimin të mos certifikojë mandatin e vajzës së tij, Xhenis Çela, për shkak të konfliktit të interesit.
Ligji e shtrin zbatueshmërinë edhe ndaj personave të zgjedhur, duke i përfshirë në ndalimin për përfitime indirekte nga pasuria publike menjëherë pas zgjedhjes së tyre. Nëse KQZ, Kuvendi apo institucionet e tjera vendosin të injorojnë këtë rast, atëherë do jetë opozita, përfshirë PD-në dhe grupimet aleate, që do ta çojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese apo edhe në Komisionin e Venecias.
Përtej kësaj, kompania “Xhenis-SH Sh.p.k.”, e cila mban emrin e vajzës së deputetit dhe tashmë deputetes së zgjedhur, rezulton e përfshirë edhe në dosjen penale të aferës CEZ-DIA, ku është dokumentuar përfitimi i padrejtë i 168 milionë lekëve. Megjithatë, SPAK ka zgjedhur të mos e prekë Agron Çelën, pavarësisht të dhënave që e lidhin atë me këtë aferë.
Ky rast tregon edhe një herë se si pushteti përdor në mënyrë sistematike institucionet dhe procedurat ligjore për të mbuluar dhe legalizuar shpërblimet politike e ekonomike, në kundërshtim të plotë me ligjin dhe interesin publik.
/Pamfleti/