Ish-deputeti demokrat, Myslim Murrizi ka denoncuar një tjetër skandal që përfshin sërish socialistët. Në një reagim në rrjetet sociale, Murrizi u shpreh ditën e djeshme se përveç shkeljeve të ligjvënësve Olta Xhaçka dhe Vullnet Sina, të cilët akuzohen për përfitime parash publike në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, në skenë ai nxjerr edhe emrin e deputetes Klotilda Ferhati (Bushka). Ish-deputeti thotë se rastet e Xhaçkës dhe Sinës nuk janë asgjë para dhjetëra miliona eurove qe ka fituar prej vitesh Z.Altin Bushka bashkëshorti i Znj. Klotilda Bushka. Në këtë skandal, Murrizi akuzon se është e përfshirë dhe opozita nga heshtja dhe selektimi i politikanëve që bëjnë sipas interesave të tyre.
“Të nderuar deputetë të PD. Në politikë luhet me letra të hapura që të jesh i besueshëm për qytetarët edhe pse mund të mërziten kryetarët apo “agallarët” që kanë në dorë listat e leshit për deputetë vemje. Nga ndryshon rasti i Znj. Olta Xhaçkës dhe i Z. Vullnet Sina që keni kërkuar me të drejtë heqjen e mandatit të deputetit sepse kanë përfituar para publike apo prona publike në kundërshtim me Kushtetutën nga rasti i Znj. Klotilda Ferhati (Bushka). Apo ngaqë Olta dhe Vullneti kanë vetëm nga një mbiemër ndërsa Klotilda ka dy mbiemra? Apo ngaqë Olta me Vullnetin e kanë nisur karrierën politike tek Mjafti dhe PS ndërsa Klotilda tek Forumi Rinor i PD? Se për shkelje të Kushtetutës janë në të njëjtën status, bile Z.Vullnet Sina që ka ardhur në politikë nga biznesi dhe si biznesmen me “përfitimet” 36 mijë euro nga një tender leshi është për “mëshirë” para dhjetëra miliona eurove qe ka fituar prej vitesh Z.Altin Bushka bashkëshorti i Znj. Klotilda Bushka”, thotë Murrizi.
Heqja e mandatit
Murrizi thotë se znj. Klotilda Bushka duhet t’i hiqet menjëherë mandati. “Po të shikosh dokumentet e biznesmenit Altin Bushka se sa miliona euro ka fituar nga paratë publike pra nga taksat e shqiptarëve me tendera të ndryshëm prej vitesh do të duhej që jo vetëm të kërkohej heqja e mandatit të deputetes së Znj. Klotilda Bushka por duhet t’i mbahet edhe paga e deputetes së viteve 2017-2021 sepse qysh në vitin 2018 nëpërmjet kompanisë së bashkëshortit të saj Altinit si edhe si ortak me Z. Gent Sula bashkëshortin e Znj. Genta Sula të dosjeve të spiunëve kanë përfituar mbi 100 milion euro para publike në kundërshtim të hapur me Kushtetutën. Atëherë pse nuk kërkoni që në seancën e datës 12 shtator të futet në rend të ditës edhe heqja e mandatit të Znj. Klotilda Ferhati Bushka që si kryetare e komisionit të ligjeve dhe nën “kujdesin” e ish-kryetares së Kuvendit Znj. Lindita Nikolla që “dyshoj” se e ka pasur një “hall” të vogël me Gentën e spiunëve, zvarriten në mënyrë të kundërligjshme heqjen e mandatit të Znj. Xhaçka. E kam thënë edhe herë të tjera që është më mirë një opozitë e dobët sesa një opozitë selektive që për të njëjtët fenomene mban qëndrime të ndryshme”, thotë ai.
Opozita hesht
Sipas Murrizit, heshtja e opozitës lidhet edhe nga frika se mos futen në lojë shantazhet me dosjet e spiuneve që i ka në duar gruaja e Gent Sulës, ortakut të bashkëshortit të Kltoida Bushkës, e cila drejton Autoritetin e Dosjeve.
“Opozita e dobët nga pa mundësia ose mungesa e kurajos apo e informacionit ndihmohet nga çdo opozitar. Opozita selektive ku për të njëjtat raste abuzive korruptive apo për të njëjtën shkelje Kushtetuese mbahen qëndrime të ndryshme selektive jo vetëm që nuk ndihmohet por urrehet dhe bëhet bastarde dhe e pa besueshme nga qytetarët. Kur kujtoj rastin e heqjes së mandatit të ish deputetit Koço Kokëdhima për 104 dollarë si pasojë e luftës së brendshme në PS që Koço të mos forcohej shumë e mos t’i zinte vendin atyre që mendonin se miqësia e Koços me Ramën i rrezikonte, më vjen habi që deputetët e PD nuk janë marrë fare apo heshtin për kërkesën që t’i hiqet mandati znj. Klotilda me dy mbiemra. Ju ftoj publikisht ta hartoni dhe ta firmosni sa më shpejt kërkesën për mandatin e Znj. Klotilda për të mos bërë akoma më shumë pis veten në pazaret e nëndheshme me PS. Kam shumë besim që kryetarja e Kuvendit Znj. Spiropali do të veprojë pa hezitim me të njëjtin standard dhe koherencë që veproi për rastet Xhaçka dhe Sina sepse falë moshës nuk ka asnjë “ hall” me energjiken e dosjeve të sigurimit Znj. Genta Sula që të frenohet për bashkëshorten e Z.
Altin si ortak kryesor në shumë biznese me bashkëshortin e saj z.Gent. Po ju drejtohem publikisht të nderuar deputetët e PD se në grupin e WhatsApp të Këshillit Kombëtar të PD ku edhe unë jam pjesë, na është bllokuar e drejta për të shkruar apo shprehur mendimet tona ku edhe ju të nderuar deputetë jeni rikthyer si anëtarë dhe “udhëheqësja” por kemi vetëm mundësi të “duartrokasim” me like mendimet, propozimet, sugjerimet, lajmërimet, urdhrat, udhëzimet dhe vendimet që merr “udhëheqësja”. Nëse nuk bëni kërkesë edhe për mandatin e Znj. Klotilda dhe të kujtdo deputeti që përfiton para apo prona publike me tendera në kundërshtim me Kushtetutën jeni njëlloj të pistë dhe pazarlinj selektivë të pabesueshëm. E di që disa prej jush mund të kenë “frike” energjiken që ka dosjet e spiunëve por nuk besoj që ka nevojë që të firmosni të gjithë si grup për të kërkuar heqjen e mandatit të Klotildës. Mjaftojnë boll firmat e atyre deputetëve që nuk kanë frikë nga dosjet e spiunëve që mban e kontrollon energjikja Genta Sula bashkëshorte e ortakut të bashkëshortit të Klotildës Ferhati (Bushka)”, përfundon shkrimin Murrizi.