Mediat amerikane kanë zbardhur dinamikën e plotë të vrasjes së Suela Saliajt, e cila u qëllua për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj. Sipas Policisë, rreth orës 02:30 të mëngjesit, Renato Muhaj vrau ish-gruan e tij dhe goditi dy prindërit e tij, duke i kërcënuar me hanxhar teksa ata mbanin njëri-tjetrin dhe mbyllnin sytë nga frika për jetën. Muhaj akuzohet gjithashtu se u ka marrë celularët në mënyrë që të mos mund të thërrisnin për ndihmë. Megjithatë, një prej tyre doli dhe kërkoi ndihmë nga forcat e rendit.
Brenda në banesë, Policia gjeti Suelën, të mbuluar me gjak dhe me një plagë në fyt, e cila i mori dhe jetën. Vajza e tyre, vetëm 8 vjeç, i tha Policisë se kishte parë të atin teksa godiste me thikë të ëmën në dhomën e saj të gjumit. Nga goditjet ajo e kuptoi se e ëma kishte vdekur dhe kur e pyeti të atin se përse op vazhdonte ta godiste, përgjigjia që mori ishte: Dua me të vërtetë që ajo të vdesë.
Pasi vrau Saliajn, Muhaj e mori vajzën nga shtëpia, duke e zbritur me nxitim nga shkallët, e si pasojë ajo u rrëzua. Pa pritur që të merrte veten, e tërhoqi zvarrë për ta futur në makinë. Ndaj ajo ka marrë disa gërvishtje dhe hematoma gjatë incidentit. Tani ajo është mirë dhe gjendet me familjarët e saj.
Ndërsa Muhaj është akuzuar për vrasje të shkallës së parë, rrëmbim dhe abuzim të fëmijës. Ai po ashtu përballet me dy akuza për sulm të rëndë dhe kërcënim të dëshmitarëve të ngjarjes.