Mbrëmjen e së dielës, Vlora u trondit nga një atentat, ku mbeti i vrarë Gëzim Sinomati. 23 vjeçari u qëllua me snajper teksa kishte dalë për të pirë një cigare në ballkonin e shtëpisë së tij.
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço tha se nuk është dëgjuar zhurmë pasi ka qenë snajper me silenciator.
“Është njohur shumë mirë zona, se ku e kanë çuar makinën dhe çfarë makine tjetër kanë marrë. Një autor mendoj se është i huaj. Ka gjetur një trajektore jo në të njëjtin nivel lartësie sepse ka pemë dhe bllokohet shikueshmëria e ballkonit. Ka mundësi të ketë qëlluar nga makina, në një pozicion me pamje të qartë. Me ndihmën e një ose dy personave që kanë pasur ditë që kanë vëzhguar viktimën, kur pi cigare, kur del në ballkon, dhe në mënyrë të përafërt se kur duhet të mbahet qitësi gati. Nuk është një ngjarje momenti kur shumë e planifikuar.“, u shpreh Karamuço.
Ai thotë se arma dyshohet të jetë futur nga jashtë dhe se kjo nuk është një ngjarje e “zakonshme” por e organizuar nga grupe të mirëfillta kriminale. Karamuço shtoi se identifikimi i autorëve do të jetë i vështirë për faktin se atentati ka qenë i mirëmenduar deri në detaje.