Një 26-vjeçar shqiptar, i dyshuar për përfshirje në një vrasje të ndodhur në vitin 2020, është arrestuar nga policia greke në Selanik. Bëhet fjalë për Romarjo Tahirin, nga Korça, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana.
Sipas hetimeve, Tahiri dyshohet se ka marrë pjesë, së bashku me dy persona të tjerë, në vrasjen e një shtetasi shqiptar. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në vitin 2020, kur viktima fillimisht është dhunuar fizikisht dhe më pas është goditur me mjete prerëse, plagë të cilat i kanë shkaktuar vdekjen.
Në vitin 2021, Gjykata e Korçës kishte caktuar ndaj 26-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim.
Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”. Ndërkohë, Interpol Tirana ka nisur bashkëpunimin me autoritetet greke për të mundësuar ekstradimin e të riut drejt Shqipërisë.







