Procedura e portit të ri tregtar në Porto Romano e cila në fazën e vlerësimit kualifikoi dy oferta është ankimuar së fundmi në Komisionin e Prokurimit Publik nga një prej kompanive të s’kualifikuara. Bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve “Jan De Nul NV – Soletanche Bachy International – Vinci Construction Geoinfrastructure.
Në sistemin e KPP dokumenti i nënshkruar për ankimmin nuk ishte i disponueshëm por specifikimet tregojnë se kundërshtia ka të bëjë me vlerësimin e bërë nga autoriteti kontraktor në këtë rast Autoriteti Portual Durrës.
Kompania në fjalë duket se nuk ka arritur të kalojë fazën tjetër ku nga pesë kompani u kualifikuar vetëm dy siç ishin Van Oord Dredging and Marine Contractors b.v. (Holandë) dhe Archirodon Construction (overseas) Company Limited (Greke, me seli në Holandë). Kompanitë do të duhet që në një fazë tjetër tashmë të garojnë me ofertat e tyre ekonomike.
Qeveria rishpalli për së dyti procedurën për ndërtimin e portit të r tregtar në dhjetor 2024 duke pritur interesin nga operatorë potencialë. Fondi limit për këtë procedurë është 39.2 miliardë lekë apo rreth 390 milionë euro.
Porti i Durrësit me fonde buxhetore
Nevoja për një port të ri tregtar erdhi pas një marrëveshjeje për shndërrimin e portit aktual në një projekt marine dhe rezidenciale me kompaninë e investitorit nga Emiratet Mohamed Alabbar. Projekti në fjalë Durrës Yacht Marina ka nisur zbatimin tashmë prej disa kohësh duke zhvilluar paraprakisht shitjet në formë ankandi për ndërtime ende të panisura.
Zhvendosja e aktivitetit të portit të Durrësit në një tjetër terren bëri që qeveria të vendoste për zhvillimin e tij në Porto Romano. Mes dy alternativave për zhvillimin e Portit të ri është zgjedhur modeli C2. Ky model parashikon një port që zhvillohet në breg dhe jo variantin C1 që parashikon zhvillimin në det.
Në fund të vitit 2022 gjatë prezantimit të projektit u nënvizua se projekti ka një kosto të konsiderueshme ndaj do të kërkojë angazhimin e fondeve buxhetore, fondeve të Autoritetit Portual, grante por edhe sektorin privat duke lënë kështu të hapur mundësinë e PPP. Të paktën 46% e financimit do të sigurohet nga qeveria dhe 54% nga sektori privat.
Në prezantimin e projektit nga përfaqësuesi i kompanisë Royal Haskoning DHV në atë kohë u nënvizua se ky investim është i konsiderueshëm dhe normalisht duhet të jetë qeveria që të mbajë një pjesë të mirë të peshës së tij./ Monitor