Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj përmes një deklarate për shtyp ditën e sotme ka konfirmuar aludimet se mes mazhorancës socialiste dhe opozitës së Rithemelimit ka negociata.
Alibeaj i cilësoi ato si “pazare okulte” ndërsa theksoi se “tani që letrat janë hapur, Partia Socialiste duhet të ta tregojë, do ta dështojë komisionin e reformës zgjedhore, do të bëjë një marrëveshje okulte, do të bëjë një marrëveshje të njëanshme, do ta çojë çështjen në komisionin e ligjeve, do të bëjë një ligj të njëanshëm sipas orekseve dhe shijeve të saj?”
Deklarata e plotë:
Tre ditë më parë i jam drejtuar me një thirrje publike Partisë Socialiste për të sqaruar në interes të publikut një çështje kryesore: a janë duke kërkuar dështimin e reformës zgjedhore? A janë duke kërkuar që çështja e reformës zgjedhore të ikë nga komisioni i reformës zgjedhore ku palët janë të barabarta në kushte barazie dhe të kalojë pastaj në komisionin e ligjeve, ku Partia Socialiste ka shumicën e ku me votat e saj mund të ndërmarrë çfarëdolloj iniciative të njëanshmë, për sa kohë që opozitës i hiqet garancia e vetos. Sot përfitoj nga rasti t’i bëj të njëjtën thirrje: a po kërkon Partia Socialiste të dështojë komisionin e reformës zgjedhore? A po kërkon ta çojë çështjen në komisionin e ligjeve, atje ku ka shumicën dhe nëpërmjet peshkimit të votave opozitare, të mund të ndërmarë iniciativa të njëanshme e ku opozitës i mungon garancia, siguresa e vetme që është vetoja kundër çdo iniciative të njëanshme.
Media ka thënë, ka folur që negociata apo pazare okulte janë duke u zhvilluar, ndaj ky është një interes publik që Partia Socialiste ta bëjë të ditur këtë gjë. Në komisionin e reformës zgjedhore, Partia Demokratike ka përfaqësuesit e vet. Aty është vendi se ku debatohen të gjitha alternativat dhe të gjitha pozicionet. Ne i kemi çuar prej kaq e kaq muajsh të gjitha opsionet tona, të gjitha alternativat tona, dreftligjin përkatës, për listat e hapura, për Shqipërinë një zonë, për votën e diasporës, për votimin dhe numërimin elektronik dhe për një sërë garancish të tjera që procesi zgjedhor do të duhet të ketë.