Në tetor të vitit 2014, me pazar në tavolinë dhe duke dëmtuar interesat e shtetit, Ministria e Shëndetësisë i jep koncensionin e check up kompanisë së duhanit të Vima Nushit, me vlerë rreth 140 milionë euro. Pjesë e garës fiktive për të diktuar Vilma Nushin fituese e koncensionit, janë bërë dy bosët e laboratorëve mjekësore Besnik Çullhaj dhe Janis Karathano, përfitues të dhjetëra milionë euro nga sektori i shëndetësisë, me tendera të dyshimtë dhe koncensione nën hetim nga SPAK-u.

Besnik Çullhaj është bërë pjesë e procedurës korruptive me kompaninë e analizave mjekësore Genius shpk, me të cilën ka marrë 270 tendera nga degët e Ministrisë së Shëndetësisë. Çullhaj nuk ka paraqitur as ofertë dhe as dokumentacion të rregullt.

Ndërkaq, Janis Karathano allias Jani Karathano (i ka dhënë emrit theks grek) nga Gjirokastra, ka marrë pjesë në procedurën fiktive përmes kompanisë Pagasus shpk, me të cilën ka përfituar koncensionin tjetër, atë të laboratorëve, me vlerë 130 milionë euro, përmes një skeme mashtrimi me kompani fantazmë në Holandë. Koncensioni i laboratorëve po hetohet nga SPAK në bazë të një kallëzimi penal të referuar nga KLSH.
Po çfarë kanë marrë në këmbim nga Vilma Nushi biznesmenët Besnik Çullhaj dhe Janis Karathano, për t’u bërë pjesë e fasadës për të kapur Vilma Nushi koncensionin e check up-it?
A ka verifikuar SPAK transaksione të mundshme mes kompanive të Vilma Nushit dhe kompanive të Besnik Çullhajt dhe Janis Karathano?
A kanë dorë Çullhaj dhe Karathano në analizat fiktive të Vilma Nushit?
Vjedhja me analiza fiktive
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konfirmuar përmes disa raporteve dhe raportimeve në Kuvend se koncensionari i Check up-it ka përvetësua rreth 4 milionë euro para publike për shërbime të pakryera. Dëmimi ekonomik u deklarua për herë të fundit në korrik të vitit 2024, në mbledhjen e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, nga audituesja e KLSH, Selime Bregu, e cila tha se këto shifra rezultojnë të kenë rritur fitimin e kompanisë koncesionare deri në 32%. Paratë kanë shkuar në xhepat e biznesmenes Vilma Nushi, ortake me Arben Ahmetajn, në kërkim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash. (Madje, Ahmetaj, dhëndrin e Vilma Nushit, Endrit Duçka, e kishte emëruar drejtor të Pronës Publike, duke kaluar disa pasuri publike në pronësi të shokëve të Ahmetajt).
Jo vetëm kaq. Por, KLSH ka zbuluar se vetëm gjatë një viti, Vilma Nushi ka përfituar në mënyrë të padrejtë edhe 2.3 milionë dollarë TVSH të rimbursueshme. Edhe kjo vjedhje është zbuluar dhe faktuar nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa mësohet se pagesa është bërë nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Sipas KLSH-së, kthimi i parave te kompania e Vilma Nushit është bërë në mënyrë të padrejtë.

Ndërkaq, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një kontroll në FSDKSH për vitin 2022. Nga auditimi i veprimtarisë është konstatuar se FSDKSH nën drejtimin e Albana Adhamit dhe Ogerta Manastirlit kanë paguar me para publike Vilma Nushin për 20 172 analiza të pakryera. Raportet e KLSH-së tregojnë se skema e vjedhjes së parave publike nga Vilma Nushi ka vijuar nga viti 2015 deri në vitin 2022.
Gjatë vitit 2022, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor është drejtuar nga Albana Adhami, një nga hajdutet më famëkeqe të parave publike në shëndetësi si dhe koka e disa skemave të mashtrimit me barnat e rimbursueshme.

Kryetare e Këshillit Administrativ të Fodit, për periudhën 2017- 2023, ka qenë Ogerta Manastirliu, pasi ishte ministre e Shëndetësisë, sot nën hetim nga SPAK për disa afera korruptive. Pra, Albana Adhami dhe Ogerta Manastirliu kanë drejtuar Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Manovrat e Vilma Nushit për t’i shpëtuar SPAK-ut
Vilma Nushi e kontrollon koncensionin korruptiv të check up-it përmes kompanisë së saj kryesore të shitjes së mallrave MARKETING & DISTRIBUTION, e cila ka 80 % të aksioneve të kompanisë koncensionare 3P Life Logistic.

20 % të aksioneve në kompaninë koncensionare 3P Life Logistic i zotëron kompania farmaceutike Trimed, përfituese e rreth 1300 tendera në shëndetësi me vlerë rreth 40 milionë euro. Kompania Trimed është themeluar në vitin 2004. Në 16 qershor të vitit 2008, Avenir Peposhi i ka dhuruar Vilma Nushit 50 % të aksioneve të kompanisë Trimed.
Në 24 mars 2017, Vilma Nushi i shet 50 % të aksioneve të kompanisë Trimed, për 300 mijë euro, shtetasit britanik, Dominic Noel William, i cili është bashkëshorti i mbesës së Vilma Nushit, Ledina Hido (vajza e Majlinda Hido, motra e Vilma Nushit).

Tashmë e kamufluar me burrin e mbesës, Vilma Nushi përlan miliona euro tendera edhe me kompaninë Trimed. Në 20 gusht 2019, Dominic Noel William Evans i shet 50 % të aksioneve që zotëronte te Trimed shtetasit Endrit Hido për 300 mijë euro.

Endri Hido është nipi i Vilma Nushit. Aksionet e kompanisë Trimed Vilma Nushi i kaloi nga duart e saj, në duart e dhëndrrit dhe më tej tek nipi.

Nga viti 2019, kompania Trimed ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 16 milionë euro, ndërsa nga viti 2015 ka marrë rreth 40 milionë euro. Pjesën tjetër të aksioneve, Vima Nushi i kontrollon përmes punonjëses së saj, Gentiana Peshkatari.
Kompania e barnave Riofarma SHPK është një tjetër subjekt i sajuar nga Vilma Nushi, për t’a përdorur në procedurat e tenderave fiktivë. Këtë kompani, Vilma Nushi e kishte kaluar në emrin e kunatit të saj, burrit të motrës, Edmond Hido.

Në vitin 2020, Vilma Nushi i shet vetes kompaninë Riofarma, duke e kaluar në pronësi të kompanisë së 1300 tenderave Trimed, të cilën e kontrollonte përmes nipit të saj, Endrit Hido. Kompania Riofarma, e përdorur në punë të pista, u përthith nga kompania Trimed në qershor të vitit 2024, një përpjekje kjo për të zhdukur zhurmët e Riofarmës.

Vilma Nushi ka marrë pjesë edhe në zhdukjen e kompanisë së korrupsionit Hermes të Arben Ahmetajt, me të cilën i vodhi Albtelekom milioa euro me impulset telefonike deri në vitin 2004. Deri në vitin 2016 Albtelekom ishte në gjyq me kompaninë Hermes, të cilës i kërkonte t’i kthente 12 milionë euro.

Afera u mbyll me marrëveshje në vitin 2016 nga Arben Ahmetaj, kur ishte ministër Financadh. Albtelekom hoqi dorë nga pretendimet ndaj kompanisë Hetmes. Kujtojmë që Ministria e Financave ishte aksionere te Albtelekom. Hermes u përthith nga kompania H-Communication me aksionere Vilma Nushin. Ndërkaq, në vitin 2011 kompania H-Communication u përthith nga kompania One Albania.
Vilma Nushi, përmes motrës së saj Majlinda Hido, kontrollon edhe kompaninë e tregtimit të mallrave të ndryshme Interlogistic shpk, e cila ka fituar 85 tendera publikë me vlerë miliona euro.


Biznesmenia Majlinda Hido, motra e oligarkes Vilma Nushi, fiton çdo tender ku merr pjesë, falë lidhjeve të forta me qeverinë të krijuara nga Vilma Nushi./PRAPASKENA