Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka ndërmarrë një nismë të re për të luftuar piraterinë audiovizive në Shqipëri, në një kohë kur rastet e shkeljes së të drejtave të transmetimit po shtohen si pasojë e zhvillimit të teknologjisë.
Nisma parashikon krijimin e një koalicioni mes AMA-s dhe operatorëve të ligjshëm të tregut, me synimin për të mbrojtur të drejtat e transmetimit, investimet në prodhimin e përmbajtjeve dhe konkurrencën e ndershme.
Në këtë kuadër, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, u ka bërë thirrje subjekteve të tregut që t’i bashkohen një memorandumi bashkëpunimi, për të koordinuar veprimet kundër rasteve të piraterisë.
Sipas Krasniqit, mbajtësit e të drejtave do të kenë përgjegjësinë të raportojnë shkeljet në kohë dhe me dokumentacion të plotë, ndërsa operatorët duhet të caktojnë persona kontakti për të vënë në lëvizje ekipet teknike dhe për të zbatuar masat përkatëse pas njoftimit nga AKEP.
Nga ana tjetër, AMA do të merret me verifikimin e ankesave, referimin e tyre dhe ndjekjen e rasteve deri në konfirmimin e zbatimit të masave.
Përfaqësuesit ligjorë të ofruesve të shërbimit të internetit kërkuan gjithashtu përfshirjen e AKEP-it në këtë memorandum, si institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e sektorit të telekomunikacionit.
Sipas të dhënave të bëra publike nga AMA, gjatë vitit 2026 janë kryer 222 inspektime në terren dhe janë vendosur 11 gjoba, pesë prej të cilave për shkelje të të drejtave të transmetimit.
Kryetarja e AMA-s bëri të ditur se, si rezultat i raportimeve dhe ndërhyrjeve të institucionit, janë mbyllur 32 serverë të paautorizuar, janë hequr tri aplikacione dhe janë kryer tri sekuestrime të pajisjeve që përdoreshin për veprimtari pirate.
Në kuadër të kësaj nisme, AMA prezantoi edhe Platformën Elektronike PENPA, e cila do të shërbejë për njoftimin, raportimin dhe ndjekjen e rasteve të piraterisë audiovizive.







