Nga Av. Altin Goxhaj
Në vitin 2015, përpara se të miratohej e ashtuquajtura Reformë në Drejtësi, paralajmëruam se Shqipëria po përballej jo me një projekt për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, por me një axhendë për çmontimin e mekanizmave kushtetues që kufizonin pushtetin politik.
Atë që ne e kemi quajtur që në fillim Reforma Soros në Drejtësi, nuk e kemi kundërshtuar sepse mendonim se nuk do të funksiononte sipas projektimit të saj. Përkundrazi! E kemi kundërshtuar pikërisht sepse mendonim se do të funksiononte sipas qëllimit për të cilin ishte projektuar.
Një dekadë më vonë, kemi përpara një bilanc ndërkombëtar të matshëm: Indeksin e Sundimit të Ligjit të organizatës World Justice Project (WJP) për vitin 2026.
Rezultatet e tij janë në përputhje me paralajmërimet tona të vitit 2015.
Teza jonë nuk është se kemi të bëjmë me një reformë të dështuar, por me një proces të planifikuar rrënimi institucional, pasojat e të cilit sot janë të matshme edhe nga organizatat ndërkombëtare.
1. Shqipëria kishte më shumë sundim të ligjit përpara Reformës në Drejtësi!
Në vitin 2015, përpara ndryshimeve kushtetuese që transformuan sistemin shqiptar të drejtësisë, Shqipëria kishte një indeks të përgjithshëm të sundimit të ligjit prej 0.52.
Në vitin 2026, pas një dekade reformash, ky indeks ka zbritur në 0.48.
Një regres prej 7.7%!
Grafiku nuk paraqet thjesht një luhatje të rastësishme, por një prirje afatgjatë përkeqësimi.
Dhe kur ky indeks zbërthehet në tetë komponentët e tij, shfaqet një tablo edhe më domethënëse: dobësimi i mekanizmave të kontrollit të pushtetit, i drejtësisë civile dhe penale, i mbrojtjes së të drejtave themelore dhe i transparencës qeveritare.
2. Bilanci statistikor i një dekade rrënimi
Komponenti20152026NdryshimiSundimi i ligjit0.520.48−7.7%Kufizimi i pushtetit qeveritar0.550.42−23.6%Mungesa e korrupsionit0.370.370%Qeverisja e hapur0.540.47−13.0%Të drejtat themelore0.600.56−6.7%Rendi dhe siguria0.730.77+5.5%Zbatimi rregullator0.410.42+2.4%Drejtësia civile0.510.44−13.7%Drejtësia penale0.460.40−13.0%
Nga tetë komponentët që matin funksionimin e shtetit ligjor, pesë janë përkeqësuar, një ka mbetur në të njëjtin nivel dhe vetëm dy janë përmirësuar.
Por nuk është vetëm numri i komponentëve që kanë degraduar. Është veçanërisht natyra e tyre që ngre pikëpyetje mbi qëllimin dhe arkitekturën e reformës.









3. Objektivi qendror i axhendës së rrënimit: çmontimi i mekanizmave që kufizojnë pushtetin!
Treguesi i kufizimit të pushtetit qeveritar ka rënë nga 0.55 në vitin 2015 në 0.42 në vitin 2026.
Një rrënim prej 23.6%, pothuajse një e katërta e vlerës së mëparshme!
Ky është përkeqësimi më i madh ndër të tetë komponentët.
Ky tregues mat aftësinë e institucioneve për të kontrolluar dhe kufizuar ushtrimin e pushtetit qeveritar, duke përfshirë parlamentin, gjyqësorin, institucionet e pavarura, median dhe mekanizmat e tjerë të kontrollit.
Pikërisht këtu qëndron thelbi i tezës që kemi mbrojtur që në vitin 2015.
Shqiptarëve u premtua një reformë që do ta vendoste politikën nën kontrollin e drejtësisë. Por, një dekadë më vonë, mekanizmat institucionalë që duhet të kufizojnë pushtetin politik janë ndjeshëm më të dobët.
Nëse qëllimi i reformës ishte forcimi i kontrollit mbi pushtetin, rezultati përbën një dështim.
Por nëse qëllimi ishte dobësimi i këtij kontrolli, atëherë rezultati përputhet me objektivin që ne kemi denoncuar që në fillim.







4. Lufta kundër korrupsionit si justifikim për transformimin e sistemit
Në vitin 2015, Shqipëria kishte një rezultat prej 0.37 në komponentin e mungesës së korrupsionit.
Në vitin 2026, Shqipëria ka përsëri 0.37.
Dhjetë vjet reformë. Institucione të reja. Struktura të posaçme. Financime të konsiderueshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Një dekadë deklaratash për luftën kundër korrupsionit.
Dhe rezultati i përgjithshëm mbetet i njëjtë!
Ndërkohë, mekanizmat që kufizojnë pushtetin qeveritar kanë humbur pothuajse një të katërtën e vlerës së tyre.
A nuk është ky kontrast një arsye e fortë për të hetuar nëse lufta kundër korrupsionit ishte qëllimi real i reformës apo justifikimi publik për një transformim shumë më të thellë të marrëdhënieve ndërmjet pushteteve?
Numri i arrestimeve, hetimeve dhe procedimeve penale nuk mund të zëvendësojë matjen e rezultateve reale të luftës kundër korrupsionit.
5. Rrënimi i drejtësisë civile: qytetari pa mbrojtje efektive
Drejtësia civile ka rënë nga 0.51 në vitin 2015 në 0.44 në vitin 2026.
Një regres prej 13.7%!
Ky është sistemi me të cilin përballet qytetari kur kërkon të mbrojë pronën, familjen, marrëdhëniet kontraktore, interesat ekonomike apo të drejtat e tij civile.
Dobësimi i drejtësisë civile nënkupton dobësimin e aftësisë së qytetarit për të mbrojtur interesat e tij përmes ligjit.
Në interpretimin tonë, kjo nuk është një pasojë dytësore e parëndësishme. Është një element thelbësor i procesit të rrënimit të shtetit ligjor.
Sepse një qytetar që nuk arrin të mbrojë pronën, të drejtat dhe interesat e tij në gjykatë është një qytetar më i pambrojtur përballë arbitraritetit të pushtetit dhe abuzimit ekonomik.
Drejtësia nuk është vetëm ndjekja penale e politikanëve. Drejtësia është mbi të gjitha garancia e qytetarit se ligji do ta mbrojë atë.
6. Rrënimi i drejtësisë penale përtej propagandës së arrestimeve
Drejtësia penale ka rënë nga 0.46 në vitin 2015 në 0.40 në vitin 2026.
Një regres prej 13%!
Në vitet 2023 dhe 2024, ky tregues kishte zbritur deri në 0.38.
Përmirësimi i pjesshëm në vitin 2025 nuk e riktheu Shqipërinë në nivelin e përpara reformës dhe në vitin 2026 kemi përsëri një rënie.
Ky komponent mat efektivitetin e hetimeve, paanshmërinë e sistemit penal, respektimin e procesit të rregullt ligjor dhe mbrojtjen nga ndikimi i papërshtatshëm qeveritar.
Një sistem penal nuk është i suksesshëm thjesht sepse arreston. Ai është i suksesshëm kur garanton drejtësi.
Për këtë arsye, nuk mund të përdoren arrestimet e bujshme si argument për të mohuar regresin e dokumentuar të sistemit penal në tërësinë e tij.
7. Rrënimi i garancive për të drejtat dhe liritë themelore
Në vitin 2015, treguesi i të drejtave themelore ishte 0.60.
Në periudhën 2017–2018 arriti në 0.63, ndërsa në vitin 2026 ka zbritur në 0.56, rezultati më i ulët i gjithë periudhës së paraqitur në grafik.
Krahasuar me vitin 2015, rënia është 6.7%, ndërsa krahasuar me nivelin më të lartë të periudhës, rënia është 11.1%.
Ky komponent përfshin lirinë e shprehjes, lirinë e tubimit dhe organizimit, të drejtën për proces të rregullt ligjor dhe mbrojtjen e të drejtave të tjera themelore.
Një drejtësi e pavarur duhej të ishte mburoja e qytetarit përballë arbitraritetit të pushtetit.
Por, nëse dobësohen njëkohësisht mekanizmat që kufizojnë pushtetin, drejtësia civile, drejtësia penale dhe mbrojtja e të drejtave themelore, atëherë kemi të bëjmë me një problem sistemik që shkon përtej funksionimit të gjykatave.
Kemi të bëjmë me dobësimin e garancive të lirisë së qytetarit.
8. Qeverisja e hapur: më pak transparencë, më pak llogaridhënie
Treguesi i qeverisjes së hapur ka rënë nga 0.54 në vitin 2015 në 0.47 në vitin 2026.
Një regres prej 13%!
Ky komponent mat transparencën e institucioneve, aksesin në informacion, pjesëmarrjen qytetare dhe mekanizmat e ankimit.
Edhe ky rezultat plotëson tablonë e përgjithshme: një pushtet me më pak kufizime institucionale dhe me më pak transparencë përballë qytetarëve.
Në një shtet ligjor, pushteti duhet të jetë i kontrollueshëm, transparent dhe i detyruar të japë llogari.
Kur këto garanci dobësohen njëkohësisht, përqendrimi i pushtetit bëhet një rrezik gjithnjë e më i madh.
9. Paradoksi i madh: më shumë rend dhe siguri, por më pak kontroll mbi pushtetin!
Komponenti me përmirësimin më të dukshëm është rendi dhe siguria, i cili është rritur nga 0.73 në 0.77.
Edhe zbatimi rregullator ka shënuar një përmirësim minimal, nga 0.41 në 0.42.
Por rendi dhe siguria nuk janë sinonime të shtetit ligjor.
Një shtet mund të përmirësojë kontrollin e kriminalitetit dhe njëkohësisht të dobësojë mekanizmat që kufizojnë pushtetin politik.
Pikërisht ky kontrast është domethënës për tezën tonë.
Ndërsa treguesi i rendit dhe sigurisë është përmirësuar, treguesi i kufizimit të pushtetit qeveritar ka humbur pothuajse një të katërtën e vlerës së tij.
Shteti ligjor nuk matet vetëm nga aftësia e shtetit për të kontrolluar qytetarin, por mbi të gjitha nga aftësia e ligjit për të kontrolluar shtetin!
10. Sa u pagua për këtë transformim të sistemit shqiptar të drejtësisë?
Një dekadë reformash është shoqëruar me financime të konsiderueshme nga buxheti shqiptar dhe donatorët ndërkombëtarë.
Është koha për një auditim të plotë publik të kostos së reformës, të financimeve të donatorëve, të projekteve të asistencës teknike, të ekspertizës, të institucioneve të reja dhe të rezultateve konkrete që kanë prodhuar këto shpenzime.
Duhet të identifikohen jo vetëm shumat e shpenzuara, por edhe hartuesit e arkitekturës së reformës, institucionet financuese, përgjegjësitë e zbatuesve dhe vendimmarrjet që kanë kontribuar në regresin institucional.
Sepse pyetja nuk është vetëm se sa para janë harxhuar për Reformën në Drejtësi.
Pyetja është se çfarë është ndërtuar me këto para dhe çfarë është çmontuar me to!
11. Jo një reformë e dështuar, por një axhendë rrënimi që duhet hetuar!
Në vitin 2015, kur denoncuam atë që e kemi quajtur Reforma Soros në Drejtësi, paralajmëruam se modeli i propozuar rrezikonte të shndërronte drejtësinë nga një mekanizëm kufizimi i pushtetit politik në një sistem të paaftë për ta kontrolluar efektivisht atë.
Një dekadë më vonë, treguesit e World Justice Project dokumentojnë një regres të ndjeshëm pikërisht në mekanizmat që duhet të kufizonin pushtetin.
A mund të konsiderohet gjithçka thjesht një gabim projektimi? Një aksident institucional? Një seri rastësish? Apo duhet të hetohet nëse rezultatet përputhen me një axhendë të paracaktuar?
Kjo është çështja që kemi ngritur që në vitin 2015 dhe që sot duhet të marrë përgjigje përmes një hetimi të plotë të dokumenteve, financimeve, vendimmarrjeve dhe përgjegjësive institucionale.
Statistikat dokumentojnë pasojat. Dokumentet dhe hetimi duhet të zbardhin qëllimet dhe përgjegjësitë.
Por një gjë është tashmë e matshme:
Shqipëria e vitit 2026 ka më pak sundim të ligjit, më pak drejtësi civile, më pak drejtësi penale, më pak mbrojtje të të drejtave themelore, më pak transparencë dhe shumë më pak kufizime mbi pushtetin qeveritar sesa Shqipëria e vitit 2015, përpara Reformës në Drejtësi!
Prandaj, unë nuk e konsideroj këtë bilanc thjesht si historinë e një reforme të dështuar.
E konsideroj si një provë të rëndësishme në mbështetje të tezës që kemi mbrojtur prej më shumë se një dekade: se pas premtimit për ndërtimin e një drejtësie të pavarur fshihej një axhendë për rrënimin e mekanizmave kushtetues të kontrollit të pushtetit.
Nuk ishte rrënimi i drejtësisë që ne nuk e kishim parashikuar. Ishte pikërisht rrënimi i drejtësisë ai që ne kishim paralajmëruar!
Ka ardhur koha që përpara gjyqit të opinionit publik të dalë vetë Reforma Soros në Drejtësi, arkitektura e saj, financimet e saj dhe përgjegjësia e atyre që e projektuan, e miratuan dhe e zbatuan!
ANEKS – DËSHMIA JONË SI AVOKATË: DREJTËSIA QË NUK MBËRRIN KURRË!
Nga përvoja profesionale e avokatëve shqiptarë, përpara dhe pas Reformës në Drejtësi.
Në vitin 2015, një avokat shqiptar, kur merrte përsipër një çështje gjyqësore, ishte në gjendje të hartonte një plan për trajtimin e saj. Mund të parashikonte, me një shkallë të arsyeshme sigurie, kohëzgjatjen e procesit në shkallën e parë, në apel dhe deri në Gjykatën e Lartë.
Sot, në vitin 2026, pas një dekade të asaj që ne e kemi quajtur Reforma Soros në Drejtësi, një planifikim i tillë është bërë praktikisht i pamundur.
Një avokat që nis sot një çështje gjyqësore civile, në shumë raste, duhet ta paralajmërojë klientin e tij se vendimin e formës së prerë në Gjykatën e Apelit mund ta marrë pas 8–10 vjetësh. Ndërsa për Gjykatën e Lartë, as që bëhet fjalë të parashikosh se kur mund të përfundojë procesi!
Ne, avokatët, sot në nëntor të vitit 2026, vazhdojmë të përfaqësojmë në Gjykatën e Apelit çështje gjyqësore të nisura në vitet 2016, 2017 dhe 2018!
Kjo është dëshmia jonë profesionale nga përballja e përditshme me sistemin e drejtësisë.
Çfarë duhet t’i thotë sot një avokat një pensionisti 70-vjeçar që kërkon të mbrojë pronën e tij? Se ndoshta do ta marrë vendimin kur të jetë 80 vjeç?
Çfarë duhet t’i thotë një sipërmarrësi që kërkon të rikuperojë një detyrim financiar? Se duhet të presë një dekadë, ndërkohë që biznesi i tij mund të falimentojë?
Çfarë duhet t’i thotë një qytetari që kërkon të mbrojë të drejtat e tij nga një padrejtësi? Se duhet të sakrifikojë dhjetë vjet të jetës për të marrë një vendim gjyqësor?
Ka qytetarë që rrezikojnë të ndërrojnë jetë përpara se drejtësia të vendosë për të drejtat e tyre. Ka trashëgimtarë që, përveç pasurisë, trashëgojnë edhe proceset gjyqësore të papërfunduara të prindërve të tyre.
Reforma në Drejtësi po e shndërron të drejtën për drejtësi nga një garanci kushtetuese në një pritje që mund të zgjasë më shumë se vetë jeta e qytetarit!
Neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut garantojnë të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm.
Por çfarë kuptimi ka kjo garanci kur qytetari duhet të presë një dekadë për të marrë një vendim të formës së prerë?
Çfarë kuptimi ka e drejta e pronës kur mbrojtja gjyqësore e saj mund të zgjasë më shumë se mundësia e qytetarit për ta gëzuar atë?
Çfarë kuptimi ka barazia përpara ligjit kur qytetari nuk ka mundësi të marrë në kohë mbrojtjen e ligjit?
Në këto kushte, është cenuar rëndë edhe vetë ushtrimi i profesionit të avokatit. Avokati nuk mund të planifikojë më kohëzgjatjen e një procesi, marrëdhënien kontraktore me klientin, kostot e përfaqësimit dhe angazhimin e tij profesional për një çështje që mund të zgjasë një pjesë të konsiderueshme të karrierës së tij.
Në vitin 2015 kishim një sistem drejtësie me probleme serioze, por një sistem që funksiononte dhe brenda të cilit mund të planifikonim punën tonë profesionale.
Sot kemi një sistem ku, në shumë raste, as avokati, as qytetari dhe as biznesi nuk mund të parashikojnë se kur do të marrin drejtësi.
Kjo nuk është thjesht një krizë e administrimit të gjykatave. Është një krizë e vetë së drejtës për drejtësi!
Pikërisht për këtë arsye, në gjykimin tonë, rrënimi i sistemit gjyqësor duhet analizuar në kontekstin e axhendës që kemi denoncuar që në vitin 2015.
Sepse një shoqëri ku qytetari nuk mund të mbrojë në kohë pronën, lirinë dhe të drejtat e tij nëpërmjet gjykatave është një shoqëri ku pushteti gjen gjithnjë e më pak pengesa për të ushtruar arbitraritetin e tij.
Grafikët e World Justice Project e dokumentojnë regresin nëpërmjet statistikave.
Ne, avokatët shqiptarë, e përjetojmë atë çdo ditë në sallat e gjyqeve!
Dhe nëse drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, atëherë drejtësia e vonuar për një dekadë është, në shumë raste, drejtësi e asgjësuar!
KONKLUZION FINAL: A U DETYROHET KOMUNITETI NDËRKOMBËTAR SHQIPTARËVE NJË KËRKESË PËR FALJE PËR SHKATËRRIMIN E DREJTËSISË?
Reforma në Drejtësi nuk ishte një projekt ekskluzivisht i politikës shqiptare. Ajo u promovua, u mbështet, u financua dhe u garantua politikisht nga përfaqësues të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Shqiptarëve iu kërkua të besonin se kjo reformë do të ishte fundi i korrupsionit, i pandëshkueshmërisë dhe i kontrollit politik mbi drejtësinë. Kundërshtimet dhe paralajmërimet tona të vitit 2015 u trajtuan si pengesa ndaj progresit dhe integrimit evropian të Shqipërisë.
Sot, një dekadë më vonë, statistikat ndërkombëtare dokumentojnë një realitet që bie ndesh me premtimet e atëhershme.
Shqipëria ka më pak sundim të ligjit, më pak drejtësi civile, më pak drejtësi penale, më pak mbrojtje të të drejtave themelore dhe mekanizma shumë më të dobët të kontrollit mbi pushtetin qeveritar. Ndërkohë, treguesi i mungesës së korrupsionit mbetet në të njëjtin nivel si përpara reformës.
Qytetarët shqiptarë presin me vite dhe deri në një dekadë për të marrë drejtësi, ndërsa ne, avokatët, përballemi çdo ditë me pasojat e këtij transformimi institucional.
Ku janë sot ata që u garantuan shqiptarëve se kjo reformë do t’u sillte drejtësinë e munguar?
Ku janë diplomatët që e promovuan atë si një sukses historik?
Ku janë institucionet ndërkombëtare që financuan dhe mbështetën arkitekturën e saj?
A do të pranojnë ndonjëherë të përballen me bilancin real të projektit që mbështetën?
Përgjegjësia ndërkombëtare nuk mund të përfundojë në momentin kur miratohet një reformë dhe të zhduket në momentin kur bëhen të dukshme pasojat e saj.
Nëse komuniteti ndërkombëtar pretendoi meritën për miratimin e Reformës në Drejtësi, atëherë ai nuk mund të shmangë përgjegjësinë politike dhe morale për rezultatet e saj.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për deklarata të tjera diplomatike që kremtojnë suksesin e reformës. Ata kanë nevojë për një vlerësim të pavarur, një auditim të plotë të financimeve, transparencë mbi vendimmarrjen dhe identifikimin e përgjegjësive të të gjithë aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë.
Dhe mbi të gjitha, duhet të hetohet nëse ky rrënim ishte produkt i gabimeve institucionale apo, siç kemi paralajmëruar ne që në vitin 2015, rezultat i një axhende të planifikuar për dobësimin e mekanizmave kushtetues të kontrollit të pushtetit.
Shqiptarëve iu premtua drejtësi. Sot, shumë prej tyre rrezikojnë të mos jetojnë aq gjatë sa për ta marrë atë!
Prandaj, pyetja jonë për komunitetin ndërkombëtar nuk është më se kur do të përfundojë Reforma në Drejtësi.
Pyetja jonë është:
KUR DO T’U KËRKONI FALJE SHQIPTARËVE PËR ATË QË I KENI BËRË DREJTËSISË SË TYRE?
Një kërkesë publike për falje nuk do ta rindërtonte vetvetiu sistemin gjyqësor. Por do të ishte hapi i parë drejt pranimit të përgjegjësisë, zbardhjes së së vërtetës dhe rivendosjes së drejtësisë në shërbim të qytetarëve shqiptarë.
Shqipëria meriton drejtësi. Dhe akti i parë i drejtësisë duhet të jetë zbardhja e përgjegjësive për rrënimin e vetë drejtësisë!

Burimi i të dhënave statistikore: World Justice Project – Rule of Law Index 2026, Albania. Krahasimi i tetë komponentëve të sundimit të ligjit për periudhën 2015–2026.







