Partia Progresive Serbe (SNS), e drejtuar nga presidenti Aleksandar Vuçiç, pritet të pezullohet nga Partia Popullore Europiane (PPE), forca më e madhe politike e qendrës së djathtë në Europë. Partisë serbe do t’i lihet një afat njëvjeçar për të përmbushur disa kushte, kryesisht në drejtim të garantimit të lirisë së medias dhe luftës kundër korrupsionit. Nëse këto kërkesa nuk plotësohen, SNS rrezikon përjashtimin përfundimtar nga familja politike europiane.
Nisma për pezullimin e partisë së Vuçiçit është miratuar nga presidenca e PPE-së gjatë një takimi të zhvilluar këtë të mërkurë në Bruksel. Organi vendimmarrës i drejtuar nga eurodeputeti gjerman Manfred Weber pritet ta kalojë vendimin për miratim përfundimtar në Asamblenë Politike të organizatës, në fillim të dhjetorit.
PPE kishte nisur që në shtator të vitit 2025 një proces vlerësimi për të shqyrtuar nëse SNS vazhdonte të përmbushte standardet demokratike të organizatës. Sipas një dokumenti paraprak të siguruar nga media Rapporteur, në radhët e PPE-së ekziston vlerësimi se periudha e qëndrimit në opozitë mund t’i shërbejë partisë serbe për t’u riorganizuar dhe për të ndërmarrë reforma.
Ky zhvillim vjen pas ndryshimeve të fundit politike në Serbi, ku Lëvizja Studentore fitoi zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare të Vuçiçit. Gjatë kësaj periudhe, vendi u përball me protesta të vazhdueshme, të cilat u intensifikuan pas tragjedisë në stacionin e trenit në Novi Sad në vitin 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Një tjetër shqetësim për PPE-në lidhet me orientimin e politikës së jashtme të Serbisë dhe afrimin e saj me Rusinë. Në dokumentin e organizatës kërkohet që drejtuesit e SNS-së të ndërpresin bashkëpunimin politik dhe çdo lidhje publike politike me presidentin rus Vladimir Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Moskës.
Mes kushteve të tjera renditen edhe nisja e një hetimi penal të pavarur për tragjedinë e Novi Sadit, garantimi i një transferimi paqësor të pushtetit dhe distancimi i plotë nga trashëgimia politike e ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç.
Ndërkohë, Lëvizja Studentore, e përbërë kryesisht nga të rinj pa eksperiencë të mëparshme në politikë, po shqyrton mundësinë e organizimit të një referendumi për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian në vitet e ardhshme.








