Ndërprerjet e fundit të shërbimeve në disa institucione qeveritare dhe organizata private në SHBA, përfshirë Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA), nuk kanë ardhur si pasojë e një sulmi të organizuar kibernetik apo të ndërhyrjes së një shteti të huaj.
Këtë e ka bërë të ditur Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, gjatë një seance dëgjimore në Komitetin e Sigurisë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve. Sipas tij, incidentet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe janë shkaktuar nga përditësime teknike dhe procese të mirëmbajtjes së sistemeve.
Clayton theksoi se, megjithëse koha kur ndodhën këto ndërprerje mund të ngrejë dyshime dhe pikëpyetje, analizat e kryera deri më tani nuk kanë zbuluar prova për një sulm të koordinuar.
“Bazuar në atë që dimë sot, pas një studimi të gjerë dixhital, këto janë ndërprerje të veçanta të shërbimit, të lidhura me mirëmbajtjen dhe ndryshimet teknike. Ato nuk përbëjnë një sulm të koordinuar apo të sponsorizuar nga një shtet”, deklaroi ai.
Gjatë dëshmisë para ligjvënësve amerikanë, kreu i Inteligjencës Kombëtare ngriti gjithashtu shqetësimin për ndikimin e inteligjencës artificiale në sigurinë kibernetike.
Sipas Clayton, zhvillimi i kësaj teknologjie po rrit ndjeshëm shpejtësinë, përmasat dhe sofistikimin e operacioneve kibernetike, duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja si për sulmet, ashtu edhe për mbrojtjen e sistemeve.
Ai siguroi se komuniteti amerikan i inteligjencës po vijon monitorimin e situatës dhe mbetet në gatishmëri për të identifikuar çdo aktivitet të mundshëm keqdashës që mund të rrezikojë rrjetet amerikane dhe partnerët e institucioneve të zbatimit të ligjit.







