Piloti ushtarak serb, Goran Bulajić, 53 vjeç, ka humbur jetën pasi avioni luftarak me të cilin po fluturonte u rrëzua në një fushë pranë Stara Pazovës, në veriperëndim të Beogradit. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, e cila bëri të ditur se autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Avioni u rrëzua rreth 31 kilometra larg kryeqytetit serb dhe i përkiste Brigadës së 204-t të Aviacionit, me bazë në aeroportin ushtarak të Batajnicës.
Sipas të dhënave zyrtare, që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2006, ushtria serbe ka regjistruar 14 aksidente ajrore, ku kanë humbur jetën gjithsej 17 persona. Në këto ngjarje janë përfshirë 12 avionë dhe dy helikopterë.








