Sulmet me dronë rusë po shtrihen edhe në pjesën perëndimore të Ukrainës, duke rritur shqetësimet për sigurinë në rajon dhe duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të transportit hekurudhor mes Ukrainës dhe Hungarisë.
Një dron rus i tipit “Shahed” është rrëzuar mbi disa automjete të parkuara në qytetin e Rivnes, në perëndim të Ukrainës. Sipas informacioneve paraprake, koka shpërthyese e dronit nuk ka detonuar. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për persona të plagosur, ndërsa dëmet materiale mbeten ende të paqarta.
Një tjetër incident është regjistruar në qytetin e Mukachevos, në rajonin e Zakarpatisë, ku një dron rus ka goditur një zonë rreth 300 metra larg stacionit hekurudhor.
Në momentin e sulmit, në stacion ndodhej një tren i ardhur nga Hungaria. Për shkak të rrezikut të mundshëm, ekuipazhi hungarez u udhëzua të largohej nga treni.
Pas ngjarjes, kryeministri hungarez Peter Magyar njoftoi pezullimin e përkohshëm të qarkullimit hekurudhor mes dy vendeve për datat 17 dhe 18 nëntor.
Autoritetet ukrainase bëjnë me dije se rajoni i Zakarpatisë u përball me disa valë sulmesh me dronë. Deri në raportimet e fundit, nuk ka pasur njoftime për viktima nga goditja pranë Mukachevos.
Paralelisht, sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa rajone të Ukrainës, duke shtuar vështirësitë për popullsinë civile.
Moldavia në alarm, dronë rusë shkelin hapësirën ajrore
Zhvillime të tjera shqetësuese janë regjistruar edhe në Moldavi, ku autoritetet kanë denoncuar shkeljen e hapësirës ajrore nga disa dronë rusë.
Presidentja Maia Sandu bëri të ditur se një prej mjeteve fluturuese ka kaluar edhe mbi kryeqytetin Kishinau, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët.
Në përgjigje të incidenteve, autoritetet moldave vendosën kufizime të përkohshme në hapësirën ajrore, me qëllim garantimin e sigurisë.
Sandu akuzoi Rusinë se po kërcënon stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit. Ajo theksoi se Moldavia do të vijojë të kërkojë vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, të mbështesë Ukrainën dhe të investojë në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.
“Rusia nuk respekton as neutralitetin, as sovranitetin dhe as jetën njerëzore”, deklaroi presidentja moldave pas incidenteve.







