Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e kësaj të hëne një stan në fshatin Shtërmen, në Njësinë Administrative Gostimë, Bashkia Cërrik.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë ambientet e stanit, duke shkaktuar dëme materiale. Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohet për dëme në gjënë e gjallë, ndërsa ende nuk dihen shkaqet që kanë çuar në rënien e zjarrit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Cërrikut, të cilat po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve. Në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar edhe ekipet zjarrfikëse të zonave fqinje, të cilat po japin mbështetjen e tyre për përballimin e situatës.
Ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse vijon, ndërsa pritet të mësohen më shumë detaje lidhur me rrethanat dhe shkaqet e këtij incidenti.







