Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin nacional Qukës-Prrenjas, në afërsi të urës së Torromanit, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën.
Përplasja ka qenë e fortë, duke bërë që të dyja makinat të dalin jashtë rrugës dhe të pësojnë dëmtime të konsiderueshme. Si pasojë, njëri prej drejtuesve të mjeteve ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë lagështira në rrugë, e cila mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të automjeteve.
Në vendngjarje është kërkuar edhe ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës për largimin e mjeteve të dëmtuara dhe pastrimin e rrugës nga vajrat e derdhura, me qëllim shmangien e aksidenteve të tjera.
Autoritetet pritet të zbardhin rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje.







