Pas disa orësh marshimi në rrugët e Tiranës, protestuesit janë mbledhur sërish përpara godinës së Kryeministrisë, duke vijuar tubimin kundër qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.
Marshimi i të rinjve ka kaluar në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, ku nuk kanë munguar thirrjet kundër kryeministrit dhe kërkesat për largimin e tij nga detyra. Në përfundim të marshimit, protestuesit janë rikthyer në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku kanë vijuar protestën.
Studentët kanë ritheksuar se dorëheqja e Ramës është kërkesa e tyre kryesore, duke kundërshtuar çdo mundësi kompromisi apo dialogu me qeverinë.
Gjatë tubimit janë dëgjuar një sërë sloganesh kundër qeverisë, mes tyre: “Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Studentët kërkojnë revolucion”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Diploma nuk është biletë emigrimi”.
Protesta vijon përpara Kryeministrisë, ndërsa të rinjtë kërkojnë ndryshime dhe përgjegjësi politike.







