Një shtetas i huaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet zvicerane për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash, është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës, në momentin që po hynte në territorin shqiptar.
Arrestimi u realizua në kuadër të një operacioni të përbashkët mes autoriteteve kufitare shqiptare dhe atyre greke.
Gjatë verifikimit të dokumenteve të udhëtimit, policia konstatoi se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti europian nga Zvicra, për veprat penale të trafikimit të paligjshëm të narkotikëve dhe substancave psikotrope, si dhe pastrimit të parave me origjinë nga aktiviteti kriminal.
Sipas legjislacionit zviceran, veprat penale për të cilat akuzohet parashikojnë një dënim maksimal deri në 20 vite burg.
Pas arrestimit, ai u dërgua në Sektorin për Hetimin e Krimeve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë në Janinë. Në vijim, dosja do t’i përcillet Prokurorisë së Apelit të Janinës, e cila do të ndjekë procedurat ligjore përkatëse lidhur me ekstradimin e tij.







