Shpërthimi i fuqishëm në një pallat pesëkatësh në Elbasan ka shkaktuar dëme të rënda në strukturën e ndërtesës, duke vështirësuar edhe operacionin e kërkim-shpëtimit.
Ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes kanë vendosur të pezullojnë kërkimet për personin e raportuar të zhdukur, për shkak të rrezikshmërisë që paraqet godina e dëmtuar rëndë.
Nga shpërthimi raportohet se një person ka humbur jetën, ndërsa një i moshuar vijon të rezultojë i zhdukur.
Ndërkohë, një prej banorëve të pallatit ka rrëfyer momentet e tmerrit që përjetoi së bashku me familjen, kur shpërthimi shembi një pjesë të strukturës dhe i bllokoi brenda banesës.
Ai tregon se dera e ballkonit e goditi në kokë, ndërsa dëgjonte të birin që kërkonte ndihmë, por nuk mund të shkonte pranë tij.
“Më ra dera e ballkonit në kokë. Dëgjova tim bir të bërtiste ‘O ba, të lutem më ndihmo!’ dhe të mos kishe mundësi ta ndihmoje. U hodha nga kati i dytë. Nuk di asgjë çfarë ka ndodhur, sepse të gjithë në atë moment shihnin punën e vet. Vetëm di që dola në ballkon dhe thirra ‘Merrni zjarrfikësit’”, rrëfen banori.







