Një 20-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi u kap duke lëvizur me automjet, në të cilin mbante një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Kontrolli u krye nga efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrugën “Kastriotët”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Gjatë verifikimit të automjetit, policia zbuloi dhe sekuestroi armën e zjarrit dhe municionin.
Në përfundim të veprimeve, në pranga ra 20-vjeçari me inicialet S. D., banues në Tiranë.
Po ashtu, dy familjarë të tij, përkatësisht 51 dhe 23 vjeç, u proceduan penalisht në gjendje të lirë. Sipas Policisë, ata kundërshtuan efektivët gjatë kontrollit të banesës, me synimin për të penguar kryerjen e këtij veprimi.
Materialet e çështjes i janë përcjellë Prokurorisë për hetime të mëtejshme.







