Nga Maska.al
Policia blen plumba plastikë dhe gaz lotsjellës për herë të tretë qysh nga muaji qershor 2026. Tenderi i fundit i Policisë së Shtetit është mbajtur në mënyrë urgjente dhe është publikuar fituesi në Agjencinë e Prokurimit Publik më 26 tetor 2026.
Kompania përfituese “MARSI&AL” sh.p.k, me pronar Petrit Kasapin, i njohur organin e prokurisë për shkak të akuzave të herë pas hershme për abuzime me kontratat dhe korrupsion me tenderat e Ministrisë së Brendshme.
Lloji i tenderit të zgjedhur është “Procedurë e Kufizuar mbi kufirin e lartë monetar” në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Me pak fjalë, në mes të protestave rezervat e plumbave plastikë dhe të bombolave të gazit lotsjellës u harxhuan me shpejtësi, prandaj është mbajtur një tender sekret. Për këtë janë thirrur vetëm dy kompanitë e besuara, sa për të mbyllur letrat.
Më konkretisht tenderi ka si objekt “Loti II “Pajisje për përdorim policor”, në këtë kontratë është përcaktuar që furnizimi të bëhet para Krishtlindjeve, pra deri më 25 dhjetor 2026.

Burime të brendshme të policisë saktësojnë për MASKA.al se këto furnizime do të kryhen menjëherë, sepse është boshatisur magazina dhe nuk do të pritet fundi i vitit.
Fondi limit i caktuar për këtë blerje është 51,867,857 lekë pa TVSH. Faza e pare (parakualifikimi) në këtë lloj tenderi është thirrja e dy kompanive që të bëjnë oferta. Në rastin tonë janë marrë dy kompani që bashkëpunojnë me njëra tjetrën në tenderat e Policisë dhe të Ushtrisë.
Siç mund të shihet nga dokumenti, ofertat e “D&E”, sh.p.k. dhe “MARSI&AL”, sh.p.k. janë të dhëna shumë pranë njëra tjetrës dhe ngjitur me fondin limit. Pra, dyshohet se pronarët kanë marrëveshje të heshtur.

Në fazën e vlerësimit, më 26 Tetor 2026, komisioni i policisë ka shpallur fituese kompaninë e Petrit Kasapit “MARSI&AL”, sh.p.k, me NIPT L21502014K, me ofertë 49,675,000 lekë. Nëse përfshijmë tvsh, vlera totale e kontratës që urdhëroi Skënder Hita, është 600 milionë lekë të vjetra.
Policia e harxhon gazin lotsjellës shumë shpejt!
Po si e harxhoi Policia e Shtetit kaq shpejt gazin? Kujtojmë se në fillim të verës u blenë sasi e madhe e këtyre materialeve. Tenderi u zhvillua urgjent nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj. Ishte urdhri i parë i prokurimit i firmosur nga Hitaj. Kjo tregon edhe objektivin e tij kryesor si drejtues: Shtypjen me dhunë të protestave kundër Kryeministrit Rama.
Urdhri mban numrin 27 dhe është lëshuar më 23 prill 2026. Shkelja që ka bërë Hitaj është përdorimi i procedurës së kufizuar dhe ligjit për prokurimet në fushën e sigurisë, kur vetë Policia e pranon se kontrata nuk përmban informacion të klasifikuar.
Objekti i kontratës është “Pajisje për përdorim policor”, konkretisht “OC Gas Solution”, me bazë Oleorezinë Capsicum, një substancë irrituese që përdoret nga policia për shpërndarjen e turmave, neutralizimin e përkohshëm të personave gjatë trazirave.
Pjesa më e fortë e dokumentacionit lidhet me arsyetimin e urgjencës. Policia e Shtetit ka argumentuar se ndodhet në “kushtet e emergjencës”, pasi automjetet speciale nuk janë të furnizuara me gaz lotsjellës.
Policia ka aktualisht në përdorim 8 automjete me topa uji, por sipas dokumenteve, 6 prej tyre nuk ishin furnizuar me lëndën OC Gas Solution.
Kjo lëndë përdoret në makinat e ujit dhe lëshohet në formë “shiu”, e përzier me ujin në raport 5 deri në 10 përqind.
Pra, nuk bëhet fjalë për spray dore që mbahet nga efektivët individualisht, por për gaz lotsjellës që hidhet nga automjetet kundër turmave.
Oleoresin Capsicum është përbërësi aktiv i njohur ndryshe si lëndë me bazë speci djegës. Ekspozimi ndaj saj mund të shkaktojë djegie të forta në sy, lotim, mbyllje të pavullnetshme të qepallave, kollë, vështirësi në frymëmarrje, acarim të lëkurës dhe irritim të rrugëve të frymëmarrjes.
Fituesi i tenderit është shpallur më 6 korrik 2026. Kontrata i është dhënë RO. GAT SECURITY SHPK. Për këtë shërbim Begator Mane ka marrë 586 milionë lekë.
Me të tilla para lulëzon biznesin e tij tek “100 vitrinat” në Tiranë, ku ndodhet selia dhe poligoni i qitjes së Ro. Gat Security.
Ndërkaq, Hita e kishte plot magazinën me të tilla materiale të blera nga paraardhësi. Dhe kompania tjetër që pasurohet me këtë biznes është Military System Supply Company SHPK, me pronar Emiljano Dusha, sipërmarrësi i lidhur prej vitesh me tenderat e Ministrisë së Brendshme. Për Dushën, ka edhe padi në SPAK për blerje votash për maxhorancën aktuale.
Ky tender e ka shpallur fituesin më 14 korrik 2025, kur drejtori ishte Ilir Proda, ndërsa kontrata është firmosur nga zyrtari Theodhori Gavrani, i cili nuk e ka kaluar vetingun në atë kohë. Janë 620 milionë lekë që i kanë kaluar në llogari Emiljano Dushës për furnizimin me këto materiale.
Dhe pa u harxhuar akoma këto, në 20 dhjetor 2025, Ilir Proda ka marrë furnizimin tjetër.
Kjo procedurë është zhvilluar formalisht në 25 maj 2025 dhe ka pasur vetëm një pjesëmarrës, kompaninë e Emiljano Dushës. Afati i dorëzimit të materialeve për policinë ishte fundi i vitit.
Sipas kësaj kontrate, janë 518 milionë lekë materiale, që policia do t’i përdorë kundër protestuesve. Me këto para është mbushur arka e biznesit të Emiljano Dushës.
Kush është Kasapi i preferuar nga Hitaj?
Biznesmeni Petrit Kasapi fillimisht u bë i njohur me kompleksin “Blur” në periferitë e Tiranës. Ky biznes i rriti të ardhurat ngushtë. Kështu, Kasapi do të hidhej tek tenderat, ku do të gjente habitatin e vet.
Kompania e Marsi & Al ka marrë jo pak, por mbi 65 miliardë lekë përmes kontratave të ndryshme, ku pjesën e luanit e kanë pikërisht tenderët sekretë të armëve dhe pajisjeve ushtarake me ushtrinë shqiptare.
Petrit Kasapi ka fituar tenderin për pajisjen me këpucë të policisë së Burgjeve, bëma më e fundit e Admir Abrisë para se ta largonin nga detyra. Vetëm nga kjo kontratë, Kasapi ka marrë rreth 700 milionë lekë, ndërkohë që miliardat janë dhënë nga Forcat Speciale të Ushtrisë dhe ato Komando.
Në mars të vitit 2023, kompania bëri goditjen e madhe me rreth 7.6 milionë euro. “Marsi & AL” dhe “Giromondo” u kontraktuan për blerje uniformash të policisë së Shtetit dhe elemente shtesë përbërëse të tyre si dhe blerje këpucësh.
Personi që e mundësoi këtë aferë ishte Endri Mullai, që zëvendësoi në krye të Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellarin, e arrestuar nga SPAK në korrik të vitit 2021 për tenderin 27 milionë euro të uniformave të policisë, duke u dënuar më pas me vendim të formës së prerë.
Pronari i kompanisë fituese “Marsi & AL”, Petrit Kasapi që nga maj 2017, është skeduar si një firmë që përvetëson paratë publike duke mashtruar me zbatimin e kontratave.
Në 1 janar të vitit 2015, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme u ngarkua të kryente prokurimet për uniformat e reja të Policisë. Gara u mbyll në shkurt, ku morën pjesë katër kompani. Në përfundim u shpall fitues bashkimi i operatorëve “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN.TIC.AS” & Marsi AL SHPK, me ofertë 91 917 500 lekë.
Prokuroria e Tiranës nisi një hetim kryesisht, pasi u konstatua se uniforma është prodhuar në Shqipëri, ndërkohë që kriteri në tender dhe kontratë ishte që të vinte nga Turqia. Nga verifikimet në dogana nuk u gjet asnjë e dhënë apo deklaratë doganore për hyrjen e uniformës në Shqipëri.
Në 2 shtator të vitit 2016, Policia e Shtetit ndërpreu kontratën me kompaninë fituese, pasi po mashtronte me cilësinë e uniformave, ndryshe nga sa ishte parashikuar në kontratë.
Në njoftimin të Ministrisë së Brendshme, të datës 21 shtator 2016, ndër të tjera thuhej: “Policia e Shtetit ka ndërprerë kontratën me kompaninë “Marsi & Al”, e cila duhej të prodhonte uniformat e reja të punonjësve të policisë, për shkak të cilësisë së dobët të mallit dhe ka dërguar për ndjekje penale në Prokurori përfaqësuesit e saj zyrtarë. Përveç procedimit në Prokurori, ndaj kompanisë kontraktore, janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për bllokimin e garancisë financiare të kontratës në favor të Policisë së Shtetit. Theksojmë se për shkak të cilësisë së dobët të mallrave dhe jashtë kushteve të kontratës, kompanisë nuk i është bërë asnjë pagesë nga Policia e Shtetit”.
Në mars të vitit 2018, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara lidhi një kontratë me kompaninë “Marsi & Al”, me vlerë 37 751 800 lekë për blerje uniformash, veshmbathjesh dhe elemente të tjera, për Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, edhe pse më parë kjo kompani ishte kallëzuar nga vetë policia dhe Ministria e Brendshme në prokurori për mashtrim.
Nga kjo procedurë u përjashtuan në bllok të gjitha kompanitë e tjera, përveç fitueses “Marsi & Al”.
Në gusht të vitit 2020, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara lidh një tjetër kontratë me kompaninë “Marsi & Al”, tashmë me vlerë 57 462 300 lekë, për blerje të uniforma për personelin e shërbimit të urgjencës mjekësore.
Ndërkaq, anulimi vit pas viti i tenderave të zhvilluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, solli tenderin e fundit, për të cilin shkuan pas hekurave 9 zyrtarë. Vlera e tenderit ishte 3 herë më e madhe se ajo e vendosur nga Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj. Plot 23 milionë euro, për 4 vite për uniforma verore dhe dimërore. Në garë mori pjesë edhe kompania Marsi Al Shpk.
Por të fshehur origjinën e mallrave kishte lindur nevoja që të krijoheshin disa grupe që mashtrojnë me liçencë. Petrit Kasapi u kallëzua nga grupi parlamentar i PD si ”koka” e grupit, i cili ka pasur në bashkëpunim firmën “D&E” SHPK me pronar në atë kohë Ismail Kadiun.
Këto grupe të cilat shiten si kompani prodhuese veshje, por nuk ishin asgjë tjetër, veçse grupe “mafioze”, të cilët menaxhonin marrëdhëniet midis zyrtarëve të lartë të shtetit dhe shpërndarjen e vjedhjeve të buxhetit të shtetit.
Mënyra se si veprojnë, importon mallra njëri nga pjestarët e grupit dhe i qarkullojnë nga njëri tek tjetri, për të justifikuar të ardhurat e “majme”, që krijohen nga këto vjedhje.
Të tre këto grupe vetë ofertojnë, vetë japin çmimet dhe fitojnë te procedurat me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.
D&E shpk dhe Marsi&AL shpk kanë fituar pothuajse të gjitha procedurat e tenderimit, siç janë tenderi i skrapit, i municioneve, i veshmbathjes dhe shitjeve të objekteve ushtarake, gjithashtu kanë fituar tenderin e aparatit të përgjimit.
Kompania e Kasapit lindi në momentin që Arben Imami u bë ministër i Mbrojtjes. Tenderin e parë e fitoi “D&E”, kurse të dytin e lidhi me “Marsi&AL”.
Më pas ish-ministrja e re Mimi Kodheli dhe më pas Olta Xhaçka, qetësisht vazhduan dhe shijuan punën me dy kontraktorët, D&E shpk dhe Marsi&AL shpk, konkretisht duke dhënë këtyre dy firmave “fantazma” 5,025144,946 lekë që nga viti 2014.

Por denoncimi i deputetëve nuk u mor seriozisht nga organi i akuzës. Aktualisht kompanitë Marsi & AI me pronar Petrit Kasapin, është në mes të tre operatorëve që bëjnë ligjin me tenderat e Policisë dhe të Ushtrisë.
Në rastet e ndryshme, vërehet një bashkëpunim në pjesëmarrje mes Marsi & AI dhe MSSC apo mes Marsi & AI dhe KOAN. Në rastet e caktuara të tri kompanitë janë bërë bashkë.
Rasti i fundit, tregon jo vetëm urgjencën e Hitajt për municione kundër protestuesve, por edhe raportin e ngushtë që ka krijuar me Petrit Kasapin.







