Nga Peter Luca, Boston Herald
Gjithçka nisi me Ivankën
Gjithçka mund të përfundojë me rrëzimin nga pushteti të kryeministrit shqiptar Edi Rama, prej kohësh i përfshirë në polemika, pas protestave të dhunshme që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera, duke tronditur vendin.
Shqipëria, një vend i vogël në brigjet e Adriatikut, mes Greqisë dhe Malit të Zi, është anëtare e NATO-s dhe një aleate e fortë e Shteteve të Bashkuara.
Problemet nisën pasi Ivanka Trump, vajza e presidentit Donald Trump, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, ndodheshin në një jaht në brigjet e Shqipërisë, kur Ivanka “zbuloi” Sazanin.
Sazani, një ishull që shërben si strehë për shpendët dhe qëndron i braktisur, dikur ka funksionuar si bazë ushtarake gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Ai ndodhet përballë qytetit bregdetar të Vlorës dhe përballë një lagune të mbrojtur, si dhe një zone ligatinore të pasur me biodiversitet, ku jetojnë flamingot rozë, breshkat e detit, fokat dhe lloje të shumta shpendësh.
“Ishim në jahtin e një miku dhe ndaluam për të notuar. Kështu e zbuluam. Notuam drejt ishullit. U ngjitëm zbathur deri në majë dhe mbetëm të mahnitur”, është shprehur ajo.
Aq shumë u mahnitën, saqë pas një takimi me Ramën, kompania private e investimeve e Kushnerit, Affinity Partners, së bashku me investitorë arabë, paraqiti një plan zhvillimi prej 1.7 miliardë dollarësh për ta kthyer ishullin dhe vijën bregdetare të mbrojtur në një resort luksoz, jo për shqiptarët, por për milionerët dhe miliarderët e huaj.
Rama, një socialist, është kryeministri më jetëgjatë në detyrë në Evropë dhe ka kërkuar të ndërtojë një marrëdhënie të ngushtë me Trumpin.
Përpara se shqiptarët të merrnin vesh se çfarë po ndodhte, terreni politik ishte përgatitur për planet që rrezikonin të shkatërronin këtë zonë të pasur me faunë të egër, përmes ndërtimit të 10 mijë vilave private, hoteleve, një marine për jahte, rrugëve dhe urave në territorin e mbrojtur.
Buldozerët u shfaqën për të pastruar terrenin dhe u ngritën gardhe. Banorët vendas protestuan, por u përballën me presionin e sigurisë private.
Kamerat televizive filmuan në maj rojet e sigurisë duke ushtruar dhunë ndaj protestuesve vendas, të cilët tentuan të shembnin gardhet e sapondërtuara, të vendosura pa paralajmërim për t’i penguar të hynin në tokat që dikur i konsideronin pronë të të gjithëve.
Kjo ngjarje ndezi atë që më vonë u bë e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, një lëvizje kundër Ramës dhe qeverisë, e cila nisi edhe përpara trazirave në Paris.
Brenda natës, mijëra protestues nga shtresa të ndryshme të shoqërisë dolën në bulevardin kryesor të Tiranës, të revoltuar nga korrupsioni i përhapur politik. Ata mbanin në duar figura flamingosh dhe pankarta me mbishkrimet: “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Ivanka, shko në shtëpi”.
Që prej rënies së komunizmit, një brez më parë, Shqipëria është shndërruar në kryeqytetin evropian të pastrimit të parave të drogës, një vend ku asgjë me rëndësi nuk bëhet pa pagesa nën dorë dhe përfitime të paligjshme.
Ndërsa “Revolucioni i Flamingove” ishte kryesisht një lëvizje qytetare spontane, paqësore dhe jo e dhunshme, situata ndryshoi rrënjësisht kur studentët u kthyen në shkolla në fund të verës.
Studentët, përgjithësisht të revoltuar nga Rama, kostoja e jetesës dhe korrupsioni qeveritar, morën në dorë “Revolucionin e Flamingove” dhe nisën të shkatërronin e t’u vinin flakën ndërtesave publike. Ata duan që Shqipëria t’u përkasë shqiptarëve dhe jo të jetë një vend në shërbim të miqve të pasur të Ramës, shpeshherë të përfshirë edhe në korrupsion, si dhe investitorëve të huaj.
Pavarësisht dallimeve në mënyrën e veprimit, të dyja grupet kërkojnë dorëheqjen e Ramës, i cili qeveris vendin prej 13 vitesh.
Dallimi kryesor mes protestave në Paris dhe atyre në Tiranë, më thanë burimet e mia në kryeqytetin shqiptar, është mungesa e protestuesve xhihadistë myslimanë, si ata në Paris. Të vetmit flamuj që valëviten në Tiranë nga protestuesit janë flamujt shqiptarë, jo ata palestinezë.
I pyeta nëse situata do të qetësohej në rast se presidenti Donald Trump do të ndërhynte dhe do t’i bindte Ivankën dhe Kushnerin të hiqnin dorë nga planet e tyre të diskutueshme të zhvillimit, të cilat, sipas këtij versioni, ndezën protestat.
“Jo”, u përgjigjën ata. “Është tepër vonë për këtë. Rama dhe administrata e tij socialiste e korruptuar duhet të largohen”.
Megjithatë, do të kishte qenë më mirë sikur Ivanka të kishte lundruar më tej përgjatë bregdetit, drejt Kroacisë, ku ka më shumë ishuj për të “zbuluar”, dhe t’i kishte lënë shqiptarët të qetë.
Ajo ndezi zjarrin.







