Në ditën e 21 të protestës, të rinjtë kanë vijuar përpjekjet për të zgjeruar radhët e lëvizjes, duke kërkuar mbështetjen e studentëve në disa prej universiteteve të vendit.
Një grup protestuesish është futur në ambientet e Universitetit të Arteve, ku u është drejtuar studentëve me thirrjen “Bashkohuni me ne!”. Thirrje për bojkot të mësimit janë bërë gjithashtu në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe në Fakultetin e Drejtësisë.
Të rinjtë u kanë kërkuar studentëve të ndërpresin procesin mësimor dhe t’i bashkohen protestës që prej 21 ditësh vijon kundër qeverisë.
Gjatë lëvizjes në ambientet universitare, protestuesit kanë hedhur një sërë sloganesh kundër kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Sali Berisha, mes tyre: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Bashkohuni me ne”, “Erdhën studentët” dhe “Poshtë patronazhistët”.








