Katër nxënës të gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës janë mbajtur për disa orë në ambientet e policisë në Kotorr të Malit të Zi, pasi shfaqën me duar simbolin e shqiponjës dykrenare. Të rinjtë, të cilët ndodheshin në një udhëtim shkollor, u ndaluan pas një denoncimi nga një shtetase malazeze e moshuar.
Ngjarja u regjistrua pasditen e 31 tetorit, rreth orës 17:30, teksa nxënësit po ktheheshin nga dreka. Sipas raportimeve, ata u pyetën nga gruaja se nga vinin dhe, në përgjigje, formuan me duar simbolin kombëtar shqiptar. Ky veprim shkaktoi reagimin e saj, e cila më pas iu drejtua policisë me pretendimin se ishte kërcënuar nga të rinjtë.
Pas denoncimit, policia e Kotorrit shoqëroi katër gjimnazistët dhe i mbajti në ambientet e saj, nën dyshimin për kundërvajtjen e nxitjes së urrejtjes kombëtare. Nxënësit kaluan natën në polici, ndërsa pranë tyre qëndroi edhe një nga mësueset që i shoqëronte gjatë ekskursionit.
Mëngjesin e 1 nëntorit, të rinjtë u paraqitën përpara gjykatës kompetente në Mal të Zi. Në përfundim të shqyrtimit, gjykata vendosi ndaj tyre masën e qortimit verbal, pa dhënë një ndëshkim më të rëndë.
Për rastin u vunë në dijeni që mbrëmjen e së shtunës edhe Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar në Durrës dhe Ministria e Arsimit.
Ndërkohë, deri në publikimin e këtij lajmi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme nuk ka reaguar publikisht lidhur me ndalimin e katër nxënësve shqiptarë. Gjithashtu, nuk ka informacion zyrtar nëse përfaqësuesit diplomatikë apo konsullorë shqiptarë kanë ofruar ndihmë për të miturit gjatë qëndrimit të tyre në polici.
Pavarësisht përfundimit të çështjes me një qortim verbal, mbeten ende të paqarta të gjitha rrethanat e incidentit dhe mënyra se si u trajtuan nxënësit gjatë ndalimit në Mal të Zi.
EKSKLUZIVE/ 50 mijë euro për të mbyllur skandalin e autobotit me naftë në Morinë? Denoncimi ndaj Erald Delilajt, si u zhdukën procesverbalet
Një tjetër denoncim i rëndë për korrupsion dhe ndërhyrje në procedurat doganore mbërrin në redaksinë e Maska.al. Këtë herë, punonjës...
Read moreDetails







