Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ardit Gjakrosën, 29-vjeçarin i cili u ekstradua dy ditë më parë nga Gjermania drejt Shqipërisë.
Gjakrosa akuzohet nga SPAK për veprën penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ndërsa ndaj tij rëndojnë edhe akuza të tjera që lidhen me veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas Policisë së Shtetit, 29-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në maj të vitit 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ekstradimi i tij nga Gjermania u realizua nëpërmjet bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden.
Përveç akuzës për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes, në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, Gjakrosa akuzohet edhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale.







