Trupi i pajetë i një 31-vjeçari është zbuluar në një pus rreth 10 metra të thellë, në zonën e Felloniche, në komunën Longiano, në provincën Forlì-Cesena të Italisë. Prokuroria e Forlì-t ka nisur hetimet për vrasje, ndërsa një nga pistat që po shqyrtohet është ajo e ekzekutimit me armë zjarri.
Sipas mediave italiane, viktima dyshohet të jetë shqiptari Denaldo Maxhallaku, i cili rezultonte i zhdukur prej disa javësh. Megjithatë, identiteti i tij nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga autoritetet italiane.
Trupi u gjet paraditen e sotme në një pus pranë një banese në zonë rurale, përgjatë rrugës provinciale 85, që lidh Savignano sul Rubicone me Felloniche.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, pranë pusit janë gjetur edhe disa gëzhoja pistolete. Ato janë sekuestruar për ekzaminime, me qëllim përcaktimin nëse kanë lidhje me vdekjen e 31-vjeçarit dhe rrethanat e mundshme të krimit.
Dyshimet se trupi mund t’i përkasë shqiptarit Maxhallaku lidhen me zhdukjen e tij dhe faktin se ai frekuentonte zonën ku u zbulua viktima. Rreth tri javë më parë, automjeti i tij ishte gjetur i djegur plotësisht, disa kilometra larg, përgjatë rrugës Fondovalle del Rubicone.
Sipas rindërtimit paraprak të raportuar nga mediat italiane, dyshimet u shtuan gjatë kontrolleve në pus. Hedhja e një guri brenda tij dhe mungesa e zhurmës së zakonshme që pritej nga kontakti me ujin ngritën dyshime për praninë e diçkaje brenda, duke nxitur verifikime më të hollësishme.
Hetuesit po punojnë për të sqaruar identitetin e viktimës, shkaqet e vdekjes dhe rrethanat e ngjarjes. Për momentin, pista e vrasjes mbetet nën hetim, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një konfirmim përfundimtar mbi identitetin e 31-vjeçarit.







