Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka përgëzuar Koalicionin Shqiptar dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Serbi, ku pritet të sigurojnë dy mandate në Kuvend.
Në reagimin e tij, ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, vlerëson rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare dhe të votës së lirë si elemente thelbësore të demokracisë. Sipas tij, përfaqësimi i qytetarëve në institucionet shtetërore krijon mundësi për ndryshime pozitive, por njëkohësisht shoqërohet me përgjegjësi për përfaqësuesit e zgjedhur.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet përfaqësimit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shqipëria thekson se mandatet e fituara duhet të shërbejnë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, garantimin e trajtimit të barabartë dhe zgjidhjen e problematikave me të cilat përballen.
Sa i përket marrëdhënieve rajonale, ministri Hoxha nënvizon se normalizimi i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës mbetet një çështje me rëndësi thelbësore. Tirana zyrtare pret që autoritetet serbe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe të respektojnë dhe zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani.
Sipas deklaratës, zhvillimet e reja politike duhet të shfrytëzohen për të nxitur bashkëpunimin, paqen dhe ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme mes vendeve të rajonit.
Në përfundim, Shqipëria shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet që do të dalin nga procesi zgjedhor në Serbi, duke vënë theksin te respekti i ndërsjellë, interesat e përbashkëta dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor.







