Një goditje, disa hapa dhe më pas rrëzimi në tokë. Kështu e përshkruan Erjon Vishkulli momentin kur u plagos në syrin e majtë nga një plumb gome gjatë protestës. Ai tregon se si ndodhi gjithçka brenda pak sekondash, duke përshkruar momentet e para pas goditjes dhe pasigurinë që po përjeton për shikimin.
Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e tij të majtë, ndërsa dhimbjet vazhdojnë dhe shpresa për rikuperim mbështetet te trajtimi i specializuar mjekësor.
“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, rrëfen ai.
Ngjarja ndodhi shumë shpejt, duke e lënë Erjonin pjesërisht të vetëdijshëm. Për momentet pas plagosjes, kujtimet i ka të pakta. Ai kujton vetëm ndihmën e një shoku, i cili e transportoi me makinë, përpara se të niste përballja me dhimbjen dhe frikën në spital.
“Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, shprehet ai.
Gjendja e syrit të dëmtuar mbetet shqetësimi kryesor. Plumbi i gomës nuk është hequr ende, ndërsa pasojat e goditjes dhe rreziku për shikimin e bëjnë situatën veçanërisht të vështirë.
“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, tregon Erjoni.
Përballë kësaj situate, marrja e një trajtimi më të specializuar është kthyer në shpresën kryesore për të shpëtuar syrin e dëmtuar. Pas kontakteve me stafin spitalor, mjekët dhe familjarët e tij, është siguruar transporti drejt një spitali në Romë, ku ai pritet të niset pasditen e sotme për të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Mes dhimbjes, pasigurisë dhe pritjes për atë që do të sjellë trajtimi, Erjon Vishkulli e përmbyll dëshminë e tij me dy fjalë që shprehin vendosmërinë për të mos u dorëzuar: “Vetëm fitore”.






