Studentët kanë krijuar një sistem të organizuar komunikimi gjatë protestave, duke përdorur shenja dhe role të përcaktuara për të shmangur panikun dhe për të garantuar lëvizjen e sigurt të pjesëmarrësve në rast tensionesh.
Në një video që tregon mënyrën se si funksionon ky organizim, shpjegohet se komunikimi mes protestuesve nuk mbështetet vetëm te fjalët, por edhe te shenjat e përdorura për të përcjellë mesazhe pa krijuar shpërqendrim në turmë.
Sipas kësaj mënyre organizimi, hapësira ku zhvillohet protesta ndahet në disa sektorë, duke nisur nga pika e takimit deri te daljet e sigurta. Këto të fundit shërbejnë për të orientuar pjesëmarrësit në rast se situata përshkallëzohet.
Një rol të rëndësishëm kanë edhe vrojtuesit dhe lajmëtarët, të cilët ndihmojnë në përcjelljen e informacionit dhe orientimin e protestuesve, veçanërisht kur policia ndërhyn për shpërndarjen e turmës.
Përmes këtij sistemi, studentët synojnë të ruajnë komunikimin dhe koordinimin mes tyre, duke shmangur konfuzionin dhe duke lehtësuar lëvizjen drejt pikave të sigurta në situata të tensionuara.







