Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar jashtë Kuvendit pas seancës plenare të tensionuar, ku u regjistruan përplasje fizike dhe debate mes deputetëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Në deklaratën e tij, Berisha u shpreh se deputetët e opozitës kanë vendosur të përfaqësojnë kërkesat e studentëve dhe gjimnazistëve që prej ditësh po protestojnë në Tiranë. Ai e cilësoi Kuvendin si “parlamentin e krimit” dhe kërkoi largimin e sistemit aktual të qeverisjes.
“Deputetët e opozitës vendosën të jenë sot zëri i kërkesave të protestës së studentëve, vullnetit të studentëve dhe gjimnazistëve. Ky është parlamenti i krimit dhe ky sistem duhet të marrë fund një minutë e më parë”, deklaroi Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së akuzoi qeverinë për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke e cilësuar Shqipërinë si një “narkoshtet”. Ai lëshoi akuza edhe ndaj kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
“Sot në Shqipëri nuk ka kriminel më të rrezikshëm se Taulant Balla”, u shpreh Berisha, duke pretenduar se gjatë seancës plenare Balla kishte komunikuar përmes disa telefonave me persona që, sipas tij, kishin lidhje me klane kriminale.
Berisha vuri gjithashtu në pikëpyetje legjitimitetin e Kuvendit, duke pretenduar se ai ka dalë nga një “farsë elektorale” dhe se është kthyer në mburojë të abuzimeve dhe vjedhjes së parave të qytetarëve shqiptarë.
Duke iu referuar protestave të zhvilluara ditët e fundit në kryeqytet, kreu i opozitës vlerësoi pjesëmarrjen e të rinjve dhe shprehu mbështetjen e tij për kauzën e tyre.
“Kurrë nuk ka parë bulevardi i Tiranës dhe rrugët e saj vajza dhe djem më trima se këta gjimnazistë dhe studentë”, deklaroi ai.
Në përfundim, Berisha rikonfirmoi se Partia Demokratike do të qëndrojë në krah të studentëve dhe gjimnazistëve, duke mbështetur kërkesat e tyre të ngritura gjatë protestave në Tiranë.







