Kushtet infrastrukturore në një shkollë 9-vjeçare në Yzberisht ngrenë shqetësime për sigurinë e nxënësve dhe zhvillimin normal të procesit mësimor.
Ambientet e shkollës paraqiten të amortizuara, me dëmtime të suvasë së tavanit, e cila në disa pjesë është shkëputur dhe ka rënë. Gjithashtu, bankat ku ulen nxënësit janë të dëmtuara dhe në gjendje të papërshtatshme.
Problematika të tjera raportohen edhe në rrjetin elektrik të institucionit arsimor. Sipas denoncimit të një prindi, instalimet janë të vjetra dhe të amortizuara, ndërsa kutitë e shpërndarjes elektrike kanë marrë flakë në disa raste.
Situata ngre pikëpyetje mbi sigurinë e fëmijëve dhe stafit pedagogjik, duke bërë të nevojshme verifikimin e gjendjes së godinës dhe marrjen e masave për riparimin e ambienteve.
Mbetet për t’u parë nëse institucionet përgjegjëse do të ndërhyjnë për të përmirësuar kushtet në shkollë dhe për të garantuar një mjedis të sigurt për nxënësit dhe mësuesit.








