Pretendimet për përdorim joproporcional të forcës nga policia ndaj pjesëmarrësve në protestat kundër Qeverisë në Tiranë kanë nxitur reagime nga organizatat e shoqërisë civile dhe ato për mbrojtjen e gazetarëve.
Këto organizata kanë raportuar për goditje me shkopinj gome dhe shkelma, lëndime të rënda dhe vonesa në dhënien e ndihmës mjekësore. Raportimet përfshijnë edhe raste të dyshuara të keqtrajtimit të të miturve, ndalime nga persona me rroba civile, dhunë ndaj gazetarëve, shkelje të të drejtave të personave të shoqëruar ose të ndaluar dhe përdorim të municioneve apo mjeteve të paidentifikuara.
Organizatat kanë kërkuar hetimin e rasteve të raportuara dhe sqarimin e përgjegjësive individuale e institucionale.
Këto raportime vijnë pas disa ditësh përplasjesh mes protestuesve dhe policisë në Tiranë, që nga nisja e tyre më 13 tetor. Protestuesit, që po kërkojnë kushte më të mira në arsim, si kërkesë kryesore tani kanë dorëheqjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Pamjet tregojnë dhunë të protestuesve ndaj policisë dhe dëmtime të objekteve publike, por edhe përdorimin e forcës nga policia, përfshirë së fundi plumbat e gomës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Shqipërisë, deri më 19 tetor janë lënduar 310 persona: 191 policë, 88 protestues dhe 31 kalimtarë.
Ndërsa këto organizata kërkojnë hetimin e dhjetëra rasteve të raportuara për përdorim të dhunës nga policia, Qeveria ka vendosur të shpërblejë me nga 2.500 euro rreth tre mijë punonjës policie, për atë që e cilëson si angazhim të shtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Vendimi u miratua mbrëmjen e 19 tetorit. Sipas tij, fondi prej 8.12 milionë eurosh do të mbulohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Rama mbron policinë, institucionet hetojnë ndërhyrjet e saj
Teksa organizatat kërkojnë hetimin e dhunës së përdorur nga policia, kryeministri Edi Rama ka vënë theksin te dhuna e ushtruar nga protestuesit ndaj policisë. Në disa dalje publike, ai është shfaqur me një gur në dorë, të cilin e ka paraqitur si simbol të dhunës ndaj policëve dhe e ka cilësuar si armë krimi.
Rama shprehu mirënjohje dhe respekt për punonjësit dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit, duke deklaruar se ata po përballen “me dinjitet, me forcë, me kurajë” me atë që e quajti “valë dhune të protestuesve”.
Rama paralajmëroi se studentët që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj policisë, nuk do të përfitojnë bursa apo mbështetje financiare nga shteti dhe se mund të humbasin të drejtën për arsim falas. Ai tha se do të merren masa ndaj mësuesve që, sipas tij, kanë nxitur nxënësit të marrin pjesë në protesta të dhunshme, duke deklaruar se këta të fundit nuk do të vazhdojnë të punojnë si mësues apo punonjës të shtetit.
Në deklaratat e tij, ai nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pretendimeve të organizatave për përdorim joproporcional të forcës ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Deri më tani, Policia e Shtetit ka pezulluar shtatë punonjës, përfshirë një shef rendi, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimet për dyshimet për përdorim të paligjshëm të forcës gjatë protestave.
Avokati i Popullit po heton dyshimet për përdorim joproporcional të forcës dhe shkelje të të drejtave të personave të shoqëruar gjatë protestave.
Më 20 tetor, institucioni njoftoi se gjatë monitorimit të një dite më parë kishte kontaktuar 193 persona në polici dhe spital dhe kishte administruar 11 ankesa. Pesë të mitur në Komisariatin nr. 1 në Tiranë pretenduan dhunë fizike dhe verbale nga policia; te dy prej tyre, ekipet e monitorimit konstatuan shenja dëmtimi fizik. Gjetjet paraprake përfshijnë edhe mangësi në garantimin e të drejtave të të miturve, pretendime për kontrolle të telefonave pa bazë ligjore dhe mbingarkesë të ambienteve të ndalimit. Institucioni dënoi çdo akt dhune dhe kërkoi që policia ta përdorë forcën vetëm kur është e domosdoshme dhe në mënyrë proporcionale.
Rastet që kanë ngritur dyshime për tejkalim të forcës
Një nga episodet që ka tërhequr më shumë vëmendje është ai i një 21-vjeçari, pamjet e të cilit u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale pas protestës së 16 tetorit në Tiranë.
Sipas pamjeve të publikuara, një punonjës policie e shtyn të riun me mburojë dhe e rrëzon në tokë. Më pas, polici e godet me shkelm, ndërsa disa punonjës të tjerë e rrethojnë. Në pamje shihet gjithashtu një tjetër polic duke e goditur të riun, i cili qëndron i shtrirë në tokë, pa lëvizur, ndërsa më pas tërhiqet zvarrë.
Motra e 21-vjeçarit, Ester Skana, i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se vëllai i saj u mbajt për rreth katër orë në Komisariatin e Policisë nr. 3, pa marrë ndihmë mjekësore. Sipas saj, familja u njoftua për ngjarjen rreth dy orë pas lëndimit të tij, ndërsa iu desh edhe afro një orë për të mbërritur në komisariat, për shkak të trafikut dhe situatës së krijuar në Tiranë.
“Kur mbërritëm aty, u habitëm që vëllai ishte ende në komisariat, pasi kishim parë videon e dhunës ndaj tij. U mbajt në një karrige në komisariat. Kërkuam që të dërgohej në spital dhe na u tha se ishte mirë, se ishte në këmbë. Madje, policët na thanë se ishte si ‘kokrra e mollës’. Por, ne këmbëngulëm dhe kërkuam që të vinte ambulanca. Duke parë qëndrimin tonë, e sollën dhe vëllain e nxorën me barelë nga komisariati. Pra, ndihma mjekësore iu dha rreth tri-katër orë pasi ishte dhunuar. Kjo është çnjerëzore”, tha Skana për REL-in.
Sipas motrës, mjekët i kanë thënë familjes se i riu e ka kaluar rrezikun për jetën, por ka pësuar frakturë në vertebrën e tretë dhe frakturë në kafkë. Ajo tha se ai ka gjithashtu edema, dëmtime të muskujve dhe shenja të shumta dhune. Sipas saj, megjithëse i riu mund të lëvizë gjymtyrët, dhimbjet nuk e lejojnë të ngrihet dhe të ecë.
Policia e Shtetit dhe Agjencia për Mbikëqyrjen e Policisë kanë njoftuar pezullimin e dy punonjësve të policisë në lidhje me këtë episod dhe nisjen e hetimeve për përcaktimin e përgjegjësisë ligjore.
Ish-drejtuesi i policisë, Shemsi Prençi, e cilësoi rastin si një nga episodet më të rënda të raportuara gjatë protestave.
“Pamjet tregojnë shtatë punonjës policie që e rrethojnë dhe e godasin. Nuk mund të pezullohen vetëm dy prej tyre. Pse duhet të dhunohet? Neutralizoje, shoqëroje në automjet dhe largoje. Ka protokolle të qarta për këto raste”, tha Prençi për REL-in.
Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, në raste të tjera protestues të rrëzuar në tokë janë goditur me shkopinj gome ose shkelma.
Rasti i 21-vjeçarit është një nga 32 rastet që Qendra Res Publica thotë se ka dokumentuar gjatë ditëve të para të protestës. Organizata, e cila punon në fushën e të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës, ka kërkuar hetimin e rasteve dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Gazi lotsjellës dhe plumbat e gomës nën shqyrtim
Dorian Matlija, drejtues i Qendrës Res Publica, tha për REL-in se organizata ka dokumentuar raste që, sipas saj, ngrenë dyshime për përdorim të pajustifikuar të forcës.
“Është e pajustifikuar. Ushtrohet dhunë ndaj qytetarëve për të cilët nuk është e qartë nëse po kryejnë një veprim të dhunshëm, ose që janë neutralizuar, pra, persona që ndodhen të rrëzuar në tokë apo në duart e policisë, që goditen me shkopinj dhe shkelma. Këtu përfshihen edhe të miturit. Kemi të bëjmë me trajtime çnjerëzore gjatë kapjes dhe shoqërimit në polici”, tha Matlija.
Sipas udhëzimeve të Kombeve të Bashkuara për përdorimin e forcës nga policia, ajo duhet të ushtrohet vetëm kur është e domosdoshme dhe në përpjesëtim me rrezikun. Forca nuk duhet të përdoret si ndëshkim dhe përdorimi i saj duhet të ndërpritet sapo të mos jetë më i nevojshëm.
Edhe Prençi tha se, sipas vlerësimit të tij, gjatë protestave janë shoqëruar persona që nuk ishin përfshirë në akte dhune.
Prençi vuri në pikëpyetje proporcionalitetin e forcës së përdorur, duke argumentuar se policia ishte e pajisur me helmeta, mburoja dhe shkopinj, ndërsa protestuesit nuk kishin pajisje të ngjashme mbrojtëse.
Përdorimi i gazit lotsjellës është një tjetër çështje që ekspertët kërkojnë të verifikohet.
“Ka përdorim disproporcional të gazit lotsjellës, i cili nuk kursen as qytetarët e zakonshëm, madje as personat që ndodhen brenda lokaleve apo banesave”, tha Matlija për REL-in.
Prençi kërkoi verifikimin e dendësisë së përdorimit të gazit dhe të distancës nga e cila është hedhur. Ai ngriti shqetësimin se ndërhyrjet mund të kenë prekur edhe studentë, vajza dhe gra shtatzëna, të moshuar dhe persona të tjerë që nuk merrnin pjesë në përleshje.
Të dy ekspertët ngrenë shqetësime për përdorimin e pushkëve me plumba gome dhe thanë se disa persona janë goditur në kokë, qafë dhe kraharor. Ata shprehën shqetësim edhe për, siç thanë, përdorimin e një substance irrituese të hedhur përmes ujit të autoboteve.
Policë pa shenja identifikuese
Policët me rroba civile, të maskuar ose pa shenja identifikuese janë një tjetër çështje e ngritur nga ekspertët që kanë shqyrtuar ndërhyrjet policore gjatë protestave. Edhe ekipet e Avokatit të Popullit evidentuan punonjës policie pa numra identifikues në komisariatet nr. 2 dhe 4 gjatë monitorimit të 19 tetorit.
REL-i pyeti Policinë e Shtetit rreth këtij pretendimi, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Matlija tha se raportimi i rasteve të ngjashme edhe jashtë Tiranës ngre pyetje që duhen shqyrtuar në nivel institucional, përfshirë mënyrën e organizimit të ndërhyrjeve dhe përgjegjësinë e zinxhirit komandues.
Ai tha se mungesa e identifikimit mund t’ua vështirësojë qytetarëve paraqitjen e ankesave dhe organeve kompetente përcaktimin e përgjegjësive.
Sipas tij, Res Publica po shqyrton mundësinë e paraqitjes së një kallëzimi penal, duke përmendur hipotezën se mungesa e identifikimit mund të ketë krijuar kushte për shmangien e përgjegjësisë.
“Ne po shqyrtojmë një hipotezë: mundësinë e organizimit të një veprimtarie kriminale, ku përfitimi i synuar ka qenë pikërisht garantimi i pandëshkueshmërisë së autorëve të dhunës. Kjo është ende hipotezë, por kemi indicie të mjaftueshme për të nisur një kallëzim penal për këtë rast”, tha ai.
Matlija ngriti gjithashtu shqetësime për kufizimet që, sipas tij, u janë vendosur gazetarëve gjatë raportimit nga terreni. Ai tha se pengimi i filmimit të ndërhyrjeve policore mund të ngrejë dyshime për përpjekje për të shmangur dokumentimin e rasteve të mundshme të dhunës.
Nga ana e tij, Prençi kërkoi që prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të mbledhin prova në terren dhe të hetojnë çdo shkelje të mundshme, si nga punonjësit e policisë, ashtu edhe nga protestuesit.
RENEA në protesta: Çfarë e justifikoi ndërhyrjen?
Tri ditë pas nisjes së protestave, forcat e RENEA-s, njësia speciale e Policisë së Shtetit për ndërhyrje në situata me rrezik të lartë, dolën në terren.
Detyrat e kësaj njësie përfshijnë operacione të posaçme kundër personave të armatosur dhe të rrezikshëm, lirimin e pengjeve dhe ndërhyrjet në situata që kërkojnë kapacitete të specializuara.
Albert Nushi, nga Departamenti i Sigurisë Publike, tha se vendimi për angazhimin e RENEA-s u mor për të mbrojtur jetën e punonjësve të policisë. Sipas tij, në sallën operative kishte mbërritur një telefonatë ku raportohej se mes protestuesve kishte persona të armatosur dhe se po qëllohej me armë zjarri, në një kohë kur policia po sulmohej me lëndë piroteknike.
Ekspertë të intervistuar nga REL-i kanë vënë në pikëpyetje domosdoshmërinë e angazhimit të kësaj njësie në protestat e raportuara, duke argumentuar se nuk kanë parë prova publike për praninë e armëve luftarake në turmë.
Prençi tha se përdorimi i RENEA-s duhet të lidhet me natyrën e rrezikut dhe me detyrat e specializuara të kësaj njësie.
Të dielën, kryeministri Rama tha se ishte neutralizuar një dron me eksploziv që, sipas tij, synonte të godiste Kryeministrinë.
Për këtë pretendim nuk janë bërë publike prova që do të mundësonin verifikimin e pavarur të tij. Mbetet gjithashtu e paqartë nëse për këtë rast ka nisur ndonjë hetim. Policia e Shtetit nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për konfirmim dhe sqarime.
Prençi tha se pretendime të tilla duhet të shoqërohen me prova dhe sqarime nga institucionet përgjegjëse. Ai vuri gjithashtu në pikëpyetje lidhjen mes ngjarjes së pretenduar me dronin dhe angazhimit të RENEA-s në terren.
Ndërkohë, nëntëmbëdhjetë organizata tjera të shoqërisë civile kanë kërkuar ndalimin e dhunës, përdorim të nevojshëm dhe proporcional të forcës nga policia dhe hetime të paanshme për rastet e raportuara.
Ato kanë bërë thirrje për mbrojtjen e të lënduarve, respektimin e të drejtave të protestuesve dhe të ndaluarve, si dhe dialog për uljen e tensioneve./ REL.







