Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar një përditësim mbi gjendjen e të lënduarve gjatë protestave në Tiranë, duke bërë të ditur se dhjetëra persona kanë marrë ndihmë mjekësore në dy strukturat spitalore kryesore të kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ditës së djeshme në Spitalin Universitar të Traumës janë trajtuar 31 persona. Prej tyre, 21 janë efektivë policie, 5 protestues, 4 kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias, e cila vijon të jetë e shtruar në spital.
Aktualisht, në këtë spital ndodhen edhe dy protestues, të cilët po kryejnë ekzaminime dhe konsulta mjekësore.
Ministria bën me dije se nga 13 tetori e deri më tani, numri i personave që janë shtruar në spital dhe vijojnë të marrin trajtim mjekësor ka arritur në 14. Mes tyre janë 5 efektivë policie, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias. Sipas autoriteteve shëndetësore, gjendja e tyre është e mirë.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur për ndihmë mjekësore edhe 5 persona të tjerë, konkretisht dy efektivë policie dhe tre protestues.
Në total, sipas të dhënave të raportuara për ditën e djeshme, 36 persona kanë marrë shërbim mjekësor në dy spitalet e kryeqytetit.








