Një 23-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se u shiste pjesëmarrësve në protestat e ditëve të fundit llastiqe gjuetie dhe sfera metalike, të cilat, sipas Policisë, do të përdoreshin për të goditur efektivët dhe institucionet.
I riu, Orges Male, u kap në flagrancë në rrugën “Tre Dëshmorët”, ku dyshohet se po shiste 30 llastiqe gjuetie së bashku me sfera metalike. Sendet u sekuestruan nga policia si prova materiale.
Pas arrestimit, uniformat blu ushtruan kontroll në një magazinë që 23-vjeçari posedonte në rrugën “Kol Koçi”. Aty u zbuluan më shumë se 450 pajisje dhe artikuj për të cilët ai nuk dispononte dokumentacion, mes tyre 239 dronë, 75 llastiqe gjuetie, 44 telefona celularë dhe një sasi e konsiderueshme sferash metalike.
Lista e pajisjeve të sekuestruara përfshin gjithashtu aparatura GPS, pajisje për zbulimin e kamerave dhe gjurmuesve, syze me videoregjistrues, pajisje regjistrimi DVR, kamera për automjete, pajisje elektronike dhe çanta që hapen me gjurmë gishtash.
Operacioni policor u kodua “Infrastruktura” dhe u finalizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas administrimit të informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Sipas Policisë, hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar të 23-vjeçarit dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj të arrestuarit po hetohen disa vepra penale që lidhen me kontrabandën, fshehjen e të ardhurave, mospagimin e taksave dhe ushtrimin e aktivitetit tregtar të paligjshëm.







