Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar protestën e zhvilluar në Tiranë gjatë një takimi me drejtuesit e degëve të PD-së në kryeqytet, mbrëmjen e kësaj të mërkure. Ai ka shprehur mbështetjen për studentët protestues, duke e cilësuar reagimin e tyre ndaj forcave të policisë si heroik.
“Janë mbi 50 studentë dhe qytetarë të plagosur nga plagë të ndryshme. Me thyerje të forta, me thyerje të këmbës, me çarje të kafkës, në pjesën frontale, që është pjesa më e fortë e saj. Janë me dhjetëra të tjerë me plagosje të tjera në trup, pa llogaritur këtu dhjetëra e dhjetëra të cilëve iu hodh sprej ariu në sy apo u gjuajtën me brutalitet me topa uji.
Duhet theksuar se studentët janë përgjigjur me një heroizëm të vërtetë. Reagimi i tyre lidhet me revoltën e tyre shpirtërore kundër narkodiktaturës, por studentët kanë një sërë arsyesh shumë të forta për t’u përballur me këtë qeveri dhe për ta arkivuar në banesën e turpit të historisë.
Sot, në proporcion me të ardhurat, ata paguajnë qira të paktën pesë herë më të larta se bashkëmoshatarët e tyre kudo ku janë. Ndërtesat që janë ndërtuar për strehimin e tyre, mafia shtetërore ua ka ndryshuar destinacionin dhe i përdor për përfitimet e veta”, tha Berisha.







