Protesta e studentëve në Tiranë ka marrë përmasa të mëtejshme gjatë mbrëmjes së sotme, ndërsa tensionet janë përshkallëzuar dhe protestuesit janë zhvendosur nga zona e Kryeministrisë dhe Bulevardi drejt Ministrisë së Drejtësisë, ku, sipas raportimeve, i kanë vënë flakën godinës.
Pas incidenteve të raportuara pranë Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, këtë herë situata është zhvendosur te Ministria e Drejtësisë, duke e zgjeruar hartën e incidenteve në kryeqytet.
Ndërkohë, përpjekjet e policisë për të shpërndarë turmën janë shoqëruar me përdorim masiv të gazit lotsjellës dhe bombolave shpërthyese, sipas raportimeve nga protesta. Ndërhyrja e forcave të rendit nuk ka arritur deri më tani të qetësojë situatën, ndërsa studentët vijojnë të qëndrojnë në rrugët e Tiranës.
Zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimin për sigurinë publike dhe dëmet e mundshme ndaj institucioneve shtetërore. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa priten informacione të mëtejshme për përmasat e dëmeve, personat e mundshëm të lënduar dhe reagimin e autoriteteve.







