Studentët protestues i kanë bërë thirrje Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese që të kryejnë detyrën e tyre konform ligjit dhe të mos ushtrojnë dhunë ndaj tyre. Në një komunikatë të publikuar pas asaj të Policisë së Shtetit, ata janë përgjigjur duke i kujtuar se ndaj kujt janë betuar për të ushtruar profesionin e tyre.
“Ju drejtohemi jo si kundërshtarë, por si të rinj të këtij vendi, si bij e bija të familjeve shqiptare, që kërkojmë të ushtrojmë të drejtat tona dhe të kthehemi shëndoshë e mirë në shtëpi.
Mos harroni se betimin e keni bërë përpara flamurit kuqezi dhe Kushtetutës, jo përpara një kryeministri, ministri apo partie politike. Detyra juaj është t’i shërbeni Shqipërisë dhe të mbroni qytetarët e saj, pavarësisht bindjeve politike.
Qeveritë vijnë e ikin. Kryeministrat ndërrohen. Shqipëria mbetet. Kur ata që sot japin urdhra të mos jenë më në pushtet, ju do të mbeteni përballë ndërgjegjes suaj dhe përgjegjësisë për veprimet tuaja”, thonë ata.







