Zv.kryeministrja Albana Koçiu shkruan në rrjetet sociale se protesta që po ndodh te Ministria e Arsimit ka degraduar në dhunë të orkestruar. Ajo shton se dhuna ndaj institucioneve, policisë dhe shkatërrimi i pronës publike s’është gjuha e rinisë, por zakon i vjetër i atyre që i përdorin këta të fundit.
Deklarata duket se i referohet opozitës që deri më tani ka bërë reagime të vazhdueshme në mbështetje të protestës dhe ka akuzuar policinë për dhunë.
“E trishtë të shohësh se si kultura e protestës degradon në një dhunë të orkestruar dhe, me sa duket, të ‘provokuar’ rëndë nga pllakat e trotuareve.
Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike”, shkruan Koçiu.







