Tre drejtues automjetesh kanë përfunduar nën hetim pasi dyshohet se tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e gjobave për shkeljet e konstatuara.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, dy prej rasteve janë evidentuar në Durrës, ndërsa një tjetër në Kavajë. Gjatë kontrolleve, tre shoferët u konstatuan me dokumentacion të parregullt dhe dyshohet se u ofruan para efektivëve për të mos u ndëshkuar administrativisht.
Për rastet në fjalë, policia ka referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për tre shtetasit.
Bëhet fjalë për dy banorë të Durrësit, të moshave 47 dhe 30 vjeç, si dhe një 35-vjeçar banues në Peqin. Ata dyshohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia Rrugore u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, ndërsa qytetarët janë ftuar të denoncojnë çdo shkelje në numrin 112, me garanci për ruajtjen e anonimatit.








