Detaje të reja dalin në dritë lidhur me vdekjen e 25-vjeçares britanike Ferne Josephine King, e cila u gjet e pajetë në apartamentin që kishte marrë me qira në Durrës, ku po qëndronte me vajzën e saj 2-vjeçare.
Sipas të dhënave paraprake nga ekspertiza mjeko-ligjore, në trupin e së resë nuk janë evidentuar shenja të jashtme dhune, ndërsa dyshimet fillestare orientohen drejt një problemi të mundshëm shëndetësor.
Burime nga Policia bëjnë me dije se një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia që 25-vjeçarja të ketë pësuar infarkt. Gjatë ekzaminimit të trupit është vërejtur edhe një sasi e vogël gjaku që i kishte dalë nga hundët, por deri më tani nuk ka një përfundim zyrtar mbi shkakun e vdekjes.
Për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes, mostrat biologjike janë dërguar në laboratorin e Tiranës për analiza toksikologjike, ndërsa priten edhe rezultatet përfundimtare të autopsisë.
E reja kishte ardhur në Shqipëri disa ditë para ngjarjes, së bashku me vajzën e saj të mitur. Ajo kishte prenotuar përmes platformës Airbnb një apartament në rrugën “Taulantia”, pranë Muzeut Arkeologjik në Durrës, ku planifikonte të qëndronte për tri ditë.







