Unioni i Gjyqtarëve Shqiptarë ka refuzuar ftesën e kryeministrit Rama për të marrë pjesë në një tryezë konsultimi lidhur me pagat e magjistratëve.
“UGJSH e konsideron të nevojshme ruajtjen e pacenuar të kufijve të juridiksionit kushtetues të kësaj Gjykate, parimet që garantojnë objektivitetin e paanshmërinë e saj, si dhe parimet që garantojnë funksionimin e një shteti të së drejtës,” thuhet në deklaratë.
Tryeza ishte planifikuar të mbahej sot në orën 12:30.
Fill pas deklaratës së unionit, Kryeministria i është përgjigjur me një e-mail zyrtar, dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm të Kryeministrisë.
“I vlerësojmë shkaqet e paraqitura prej jush dhe mbetemi të hapur për të vijuar dialogun në një moment të dytë”, thuhet në email.
Përfaqësuesit e gjyqtarëve dhe të prokurorëve kanë deklaruar se do të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi çështja e pagave pritet të gjykohet aty.








