Një e katërta e të punësuarve që derdhin kontribute rezulton me pagë deri në 50 mijë lekë në muaj, ndërsa po rritet ndjeshëm pesha e punonjësve në fashat më të larta të pagave, sipas të dhënave zyrtare mbi ecurinë e pagave në tremujorin e dytë të vitit 2026.
Ndryshimi i strukturës së pagave lidhet me rritjen e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë në fillim të këtij viti, por edhe me rritjet e pagave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, mungesën e fuqisë punëtore dhe konkurrencën më të fortë të bizneseve për të tërhequr ose mbajtur punonjësit.
Në fund të vitit 2025, përpara rritjes së pagës minimale, rreth një e treta e të punësuarve merrnin deri në 50 mijë lekë. Konkretisht, 12.8% paguheshin deri në pagën minimale prej 40 mijë lekësh, ndërsa 21% merrnin nga 40,001 deri në 50 mijë lekë. Në total, këto dy kategori përbënin 33.8% të të punësuarve.
Brenda gjashtë muajve, pesha e punonjësve me paga deri në 50 mijë lekë është reduktuar me rreth 8 pikë përqindje. Një pjesë e këtij ndryshimi erdhi nga rritja e pagës minimale, e cila zhvendosur në fashën e re prej 50 mijë lekësh punonjësit që më parë deklaroheshin me paga më të ulëta.
Paralelisht është zgjeruar edhe pesha e punonjësve me paga dukshëm më të larta, duke sinjalizuar një zhvendosje graduale të strukturës së pagave drejt niveleve më të larta.
Gati gjysma e të punësuarve kontribuues, ose 48.3%, merrnin mbi 75 mijë lekë në muaj në tremujorin e dytë 2026. Në fund të vitit 2025 kjo kategori përbënte 43% të totalit.
Rritja është e dukshme edhe te pagat mbi 95 mijë lekë. Në tremujorin e dytë, 32.1% e të punësuarve merrnin mbi këtë nivel, nga 29.4% në tremujorin e katërt 2025.
Veçanërisht është shtuar pesha e të punësuarve me paga mbi 120 mijë lekë. Ata përbënin 17.1% të totalit në tremujorin e dytë 2026, nga 14.1% në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Në rritjen e peshës së pagave më të larta mund të kenë ndikuar disa faktorë. Mungesa e fuqisë punëtore, e lidhur edhe me emigracionin dhe tkurrjen e popullsisë në moshë pune, i ka detyruar bizneset në shumë sektorë të ofrojnë paga më të larta për të gjetur dhe mbajtur staf.
Një tjetër faktor është rritja e pagave në sektorin publik dhe efekti që ajo ushtron mbi sektorin privat, sidomos për profesionet ku shteti dhe bizneset konkurrojnë për të njëjtën kategori punonjësish.
Po ashtu, rritja e kostos së jetesës gjatë viteve të fundit ka shtuar presionin e punonjësve për paga më të larta, ndërsa kompanitë me mungesa personeli janë detyruar të bëjnë korrigjime më të shpejta të pagave.
Struktura e punësimit po ndryshon, me një peshë më të madhe të profesioneve të kualifikuara dhe sektorëve që paguajnë mbi mesataren, ndërsa aktivitetet me paga të ulëta përballen me mungesën e punonjësve./ Monitor.al







