Një 58-vjeçare ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, ndërsa një 27-vjeçare po hetohet në gjendje të lirë, pasi dyshohet se ishin përfshirë në një skemë mashtrimi lidhur me zgjidhjen e problematikave të pronësisë.
Sipas hetimeve, 58-vjeçarja me iniciale S.D. kontaktonte persona që kishin probleme me dokumentacionin e pronave dhe u premtonte se, përmes njohjeve që pretendonte se kishte në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, mund t’u siguronte zgjidhjen e çështjeve të tyre.
Për të bindur qytetarët, ajo dyshohet se u siguronte edhe dokumente të falsifikuara. Në këtë mënyrë, sipas Policisë, dy gratë kanë përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë që kalon 100 mijë euro.
Hetimi nisi pas informacionit të siguruar nga gazetarët e emisionit investigativ “STOP”, të cilët kishin marrë të dhëna nga persona që pretendonin se ishin pajisur me dokumente false dhe ishin mashtruar nga 58-vjeçarja.
Gjatë operacionit “Premtimi”, Policia sekuestroi një shumë parash në euro, që dyshohet se rrjedh nga veprimtaria kriminale, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe dy telefona celularë.







