Një mjet lundrues është përfshirë nga zjarri në zonën e “Pemës së Thatë” në Ksamil, teksa në bord ndodheshin katër turistë nga Gjermania.
Zjarri dyshohet se ka nisur në pjesën e brendshme të mjetit, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e incidentit.
Pas sinjalizimit për ngjarjen, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, të cilat kanë ndërhyrë për evakuimin e turistëve.
Të katër shtetasit gjermanë janë nxjerrë në mënyrë të sigurt në breg dhe, sipas informacioneve paraprake, nuk kanë pësuar dëmtime.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe rrethanat në të cilat ndodhi incidenti.







