Një operacion i gjerë antidrogë i Policisë Kantonale të Zyrihut ka çuar në zbulimin e një prej plantacioneve më të mëdha të kanabisit të identifikuara në këtë zonë të Zvicrës. Gjatë aksionit janë sekuestruar mbi 1.1 ton marihuanë, ndërsa tre persona janë arrestuar.
Operacioni nisi pas një informacioni të marrë nga autoritetet dhe një hetimi disa-mujor. Në mars, policia e Zyrihut kontrolloi një automjet në të cilin ndodhej një shtetas gjerman 36-vjeçar. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën rreth 30 mijë euro cash dhe katër telefona celularë të ndezur.
Policia e kishte vëzhguar më herët 36-vjeçarin në Spreitenbach, në kantonin Aargau, teksa largohej nga një objekt biznesi. Po atë ditë, efektivët e Zyrihut, të përforcuar nga kolegë të Policisë Kantonale të Aargaut, ndërhynë në objekt.
Brenda ambienteve u zbulua një plantacion indoor kanabisi me sipërfaqe rreth 4 mijë metra katrorë. Sipas të dhënave të përfshira në një vendim të Gjykatës Federale Penale të Zvicrës, në objekt ndodheshin gjithsej 23.918 bimë marihuane, së bashku me hapësira të posaçme për kultivim, tharje dhe pajisje teknike.
Në kuadër të operacionit u sekuestruan gjithashtu 1.106 kilogramë marihuanë të gatshme për shitje, dy armë zjarri, 6.420 franga zvicerane cash dhe disa makina profesionale për numërimin e parave.
Në objekt u arrestuan dy persona: një shtetas kosovar 26-vjeçar dhe një shtetas shqiptar 29-vjeçar. Së bashku me shtetasin gjerman, ata dyshohet se i përkisnin stafit operativ të kompanisë që, sipas hetimeve, mund të ketë shërbyer si mbulesë për aktivitetin kriminal.
Gjykata përcakton kantonin përgjegjës për hetimin
Pas operacionit, mes autoriteteve të Zyrihut dhe Aargaut lindi një mosmarrëveshje lidhur me kompetencën për drejtimin e procedurës penale. Prokuroria e Aargaut kishte kërkuar që çështja t’i kalonte Zyrihut, pasi hetimi kishte nisur nga autoritetet e këtij kantoni.
Prokuroria e Zyrihut e kundërshtoi këtë kërkesë, duke argumentuar se vendi kryesor i veprimtarisë kriminale ndodhej në Spreitenbach, në kantonin Aargau.
Gjykata Federale Penale vendosi në favor të Aargaut, duke vlerësuar se qendra e veprimtarisë kriminale ndodhej në Spreitenbach. Për këtë arsye, autoritetet e Aargaut konsiderohen përgjegjëse për ndjekjen penale të veprave që u atribuohen të dyshuarve.
Informacioni ishte marrë më herët
Sipas vendimit të gjykatës, autoritetet e Aargaut kishin marrë që në nëntor të vitit 2024 një informacion anonim për kultivim të paligjshëm kanabisi në këtë objekt. Megjithatë, pas verifikimeve të atëhershme, autoritetet kishin arritur në përfundimin se nuk kishte dyshim të mjaftueshëm për një vepër penale dhe nuk e kishin vijuar çështjen.
Hetimi i mëvonshëm i Policisë së Zyrihut solli zbulimin e plantacionit masiv dhe të një sasie të konsiderueshme droge.
Përveç marihuanës së gatshme për shitje, hetuesit gjetën edhe mbetje të bimëve që dyshohet se përdoreshin për prodhimin e polenit të kanabisit, si dhe dokumente, pajisje digjitale, para cash, armë dhe pajisje profesionale për numërimin e parave.
Sipas Gjykatës Federale Penale, këto elemente krijojnë dyshimin se në objekt nuk zhvillohej vetëm kultivimi dhe përpunimi i kanabisit, por një veprimtari kriminale e organizuar në lidhje me trafikun e lëndëve narkotike.
Administratorët e kompanisë ende në kërkim
Hetimi lidhet me një shoqëri aksionare me seli në Spreitenbach, e cila dyshohet se mund të ketë shërbyer si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm.
Themeluesi i kompanisë dhe një administrator janë ndër personat e dyshuar dhe konsiderohen si pjesë e strukturës drejtuese të aktivitetit. Ndërsa tre personat e arrestuar në mars dyshohet se kishin rol në funksionimin e përditshëm të aktivitetit.
Sipas të dhënave të bëra publike, personat që dyshohet se qëndronin në nivelet drejtuese nuk ishin arrestuar në momentin e operacionit dhe ishin shpallur në kërkim.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit, origjinës së drogës dhe destinacionit të saj vijojnë nën drejtimin e autoriteteve të kantonit Aargau.







